Automjeti tip “BMW x6” brenda së cilës u gjetën armatime të cilat do përdoreshin për një atentat në Elbasan, rezulton të jetë e vjedhur disa ditë përpara në qytetin e Shkodrës.
Panorama TV ka siguruar pamjet nga qyteti verior ku shihet një person teksa grabit makinën. Siç shihet nga videoja, një i ri i veshur me të zeza, me kapuç dhe një maskë antiCOVID, hyri brenda automjetit dhe e mori.
Pas grabitjes, makina u dërgua në Elbasan, ku sipas policisë do përdorej për atentatin ndaj shtetasit Elton Kila, i njohur ndryshe dhe si Oti i Elbasanit.
Për këtë ngjarje u arrestuan dy persona, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi. Arben Spahiu është kunati i Erion Alibejt, një personazh i njohur për autoritetet.
Makina në fjalë është parë në afërsi të banesës së Erion Alibejt në Elbasan dhe të dielën policia ka ndërhyrë, teksa brenda saj janë gjetur dhe sekuestruar 3 kallashnikovë dhe sasi e madhe municionesh. Makina do të përdorej për vrasjen e Elton Kilës./Panorama

