Kryeministri i vendit Edi Rama njoftoi nëpërmjet një postimi në twitter se ka pranuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, -“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.”– por pa specifikuar se kur ishte dhënë dorëheqja dhe për cilin motivacion.
Zyrtarisht mësohet se Xhafaj ka paraqitur dorëheqjen pasditen e të ejntes dhe që është pranuar mbrëmë në darkë (e premte 26 Tetor) ku është gjetur dhe zëvëndësuesi, njeriu i besuar i kryeministrit.
“Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.”- vijoj kryeministri në postimin në Tëitter.
Sandër Lleshi një ushtarak karriere pritet të zërë vendin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa Rama flet për energjitë e reja pozitive që pritet të sjellë ky ndryshim në dikasterin më të rëndësishmë të kabinetit.
Por ajo që bën përshtypje është mesazhi i Ramës që lë të kuptohej se me Xhafën mungonin energjitë pozitive, shpejtësia dhe rezultatet, të cilat sipas Kryeministrit pritet ti sjellë emërimi në këtë post i këshilltarit të tij për Çështjet e Sigurisë Kombëtare Sandër Lleshi.
Largimi i Xhafës nga detyra e ministrit të brendshëm vjen pak ditë pas super operacionit të organizuar mes prokurorisë dhe policisë ku u goditën 4 grupe kriminale që ndërvepronin me njëri-tjetrin në fushën e trafikimit të lëndëvë narkotike , në hetim të të cilit u zbuluan dhe përgjimet e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako që fliste me anëtarët e grupit Avdylaj në Shijak ku uarrestuan dhe dy ish deputetë të Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Arben Çuko.
“Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”- vijon më tej Rama duke lënë të kuptohet se ka qenë i pakënaqur me shpejtësinë e rezultateve të deritanishme të cilat pret që të rriten me ardhjen e Lleshit në detyrën e ministrit.
Nëpërmjet një deklarate të shkruar për mediat Fatmir Xhafaj bëri falenderimet korteziale për kohën që ka shërbyer në krye të Ministrisë së Brendshme ndërsa në 204 fjalët e përdorura në deklaratë nuk dha asnjë sqarim sado të vogël përse kishte dhënë dorëheqjen. Brenda rreshtave Xhafa nuk lë pa theksuar arritjen e sukseseve të rëndësishme ku disa prej tyre sic shprehet ai për vite të tëra ishin konsideruar të pamundura.
Një ditë më parë paraardhësi i Xhafës në detyrën e Ministrit Saimir Tahiri kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp për në paraditen e kësaj të shtune , të cilën e anulloi sapo doli lajmi i ndryshimeve në dikasterin e rendit.
Xhafaj dhe Rama prej kohësh kishin përplasje konceptuale për mënyrën e drejtimit të Ministrisë së Brendshmë dhe politikat strategjike të ccasjes së Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar , grupeve kriminale.
6 Muaj më parë në Maj, Fatmir Xhafaj hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, që pretendonte se ai kishte fshehur dënimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj, në vitin 2002 në Itali për trafik droge dhe e kishte mbrojtur nga drejtësia në Shqipëri, ku i vëllai ishte ekstraduar nga autoritetet italiane. Por e dha fill pas një operacioni të sukseshëm me 34 të arrestuar ku u kapën anëtarët e 4 grupeve kriminale për arsye të pakuptueshme./sosnews.al
Mesazhi i ministrit Xhafaj pas dorëheqjes nga detyra:
Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.
Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.
Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.
Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.
Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë.
Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm.

