Partia Demokratike ka dorëzuar kërkesën me 13 pyetje për kryeministrin Edi Rama në lidhje me dosjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal. Kërkesa është firmosur nga 13 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, të cilët kërkojnë që përgjigjet t’i marrin në interpelancën që presin ta zhvillojnë në seancën plenare.
Kjo është hera e dytë që Opozita kërkon përgjigje nga Rama për këtë dosje. Herën e fundit, Rama mungoi në Kuvend dhe interpelancën ia delegoi ministres Elisa Spiropali. Kjo gjë solli përplasje të forta në sallën e Kuvendit mes Opozitës, maxhorancës e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Kjo gjë solli dhe kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e tetë deputetëve të PD-së, me argumentin se kishin treguar mungesë respekti ndaj Nikollës.
Çfarë ka ndodhur?
Mbi një javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal. Pas publikimit të dosjes, Partia Demokratika ka organizuar një protestë që do mbahet më 11 shkurt para Kryeministrisë, e do të kërkojë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

