Një shef i forcave zjarrëfikëse të Cërrikut është arrestuar nga policia pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se në pranga është vendosur shtetasi A.T., 36 vjeç me detyrë shef i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim në qytetin e Cërrikut.
Ai është ndaluar teksa drejtonte makinën e tiij tip “Benz”. Nga testi i alkoolit, rezultoi në masën 2.0 mg/l, ndërsa në testin e dytë rezultoi me 1.225 mg/l.
Njoftimi i AMP-së së Elbasanit:
Sot, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Elbasan kanë kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 36 vjeç, me detyrë Shef i PMNZSH në qytetin e Cërrikut, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt në gjendje të dehur”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi ai ka qenë duke drejtuar automjetin tip Mercedez Benz në gjendje të dehur, në qytetin e Cërrikut. Nga testi i parë i kryer me aparatin Drager, ky shtetas rezultoi në masën 2.0 mg/l, ndërsa në testin e dytë rezultoi me 1.225 mg/l.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

