Ditën e djeshme policia e Arezzos ka njoftuar për një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e njohur të San Polos.
Të dhënat e para të policisë kanë treguar se bëhet fjalë për një vrasje dhe viktima ishte një shtetas shqiptar i cili është qëlluar për vdekje nga një shtetas italian.
Policia ka mësuar ngjarjen pasi shqiptari është konstatuar i vdekur nga katër plagë të mëdha arme, konstatim që ka ardhur nga spitali i Sienës, ndërkohë që autori i sulmit mësohet se ka pritur në shtëpinë e tij, pikërisht në vendin ku edhe kishte ndodhur ngjarja.
Përgjatë së djeshmes policia ka refuzuar të japë informacion mbi identitetin e dy personave, ndërkohë që mediat lokale kanë shkuar në banesën e italianit duke sjellë pamje nga vendi i krimit. Policia dhe prokuroria lokale ende nuk kanë hehdur dritë mbi shkaqet reale, ndërkohë që shqiptari dhe italiani kanë qenë fqinj dhe miq.
Nuk dihet se si ka agravuar sherri mes tyre, por mësohet se po verifikohen kamerat e sigurisë, do të merren dëshmi mbi aktin e rëndë ndërkohë që autori i vrasjes është vënë në pranga.
NGJARJA SIPAS MEDIAVE ITALIANE
Një konflikt i agravuar mes fqinjëve përfundoi në tragjedi. Ndodhi në San Polo, një fshat i Arezzo në Itali. Një 57-vjeçar me origjinë shqiptare dyshohet se ka tentuar të ‘sulmojë’ me buldozer shtëpinë e fqinjit, duke i shkaktuar dëme të rënda strukturore dhe duke dëmtuar disa makina në pronësi të fqinjit.
Ky i fundit e ka qëlluar me çifte gjahu duke e lënë të vdekur. 53-vjeçari italian është arrestuar nga policia për vrasje. Ai dyshohet se ka qëlluar nga dritarja e shtëpisë së tij dhe arma ishte me leje.
Mësohet se rreth orës 20:30, moment kur shtetasi shqiptar po ngiste buldozierin dhe po i dëmtonte shtëpinë, të paktën pesë të shtëna janë dëgjuar nga banesa e italianit, 4 prej të cilave përfunduan në trupin e 57- vjeçarit nga Shqipëria.
Hetimet në vendin e krimit dhe dëshmia e autorit
Arma dhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje u sekuestruan. Autoriteti gjyqësor ka urdhëruar hetimet mjeko-ligjore të rastit të cilat do të kryhen në ditët në vijim në mjekësinë ligjore të spitalit të Sienës.
Në vendngjarje kanë qenë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndalur motorin e buldozerit, i cili ka mbetur i ndezur dhe ka detyruar njerëzit të largohen nga banesat e tyre. I arrestuari është dërguar në burgun e Arezzos, ndërkohë që ka pranuar krimin duke iu pohuar se shqiptari, fqinj i tij, kishte ardhur me qëllimin që jo vetëm të dëmtonte automjetet e tij dhe të familjarëve të tij por edhe t’i shembte shtëpinë.
Ai iu ka thënë hetuesve që nuk kishte mënyrë tjetër ta ndalonte agresorin, ndonëse ndaj tij italiani ka lëshuar 5 fishekë.

