Më pak se një javë nga ekzekutimi i Renato Omerit, motra dhe bashkëshortja e tij thonë se vrasja mund të ketë lidhje me atë të Dhjetorit të vitit 2015 në qytetin e Durrësit, ku viktimë mbeti nipi i Omerit dhe një shok i tij.
Motra e 36 – vjeçarit, shprehet se gjithçka nisi pikërisht më 20 Dhjetor.
Ajo rrëfen se i biri, Endri Çaushaj sëbashku me mikun e tij ndodheshin rastësisht në atë vend dhe ishin me rrethin shoqëror të Omerit.
“Djali im është vrarë në Durrës më 20 Dhjetor me Ervin Kodrën. Djali im aty ka qenë rastësisht, thjeshtë në një rreth shoqëror të vëllait tim. Këtu lind dhe historia e gjithë këtij strumbullari dhe kësaj që na ka gjetur ne”.
Ndërsa bashkëshortja e Omerit, zbulon se 36 – vjeçari ndihej i kërcënuar. Ajo tregon se ai lëvizte gjithmonë i armatosur e se kishte kamera të shumta sigurie.
“I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të mos fshehin ngjarjen dhe të mos fshehin kamerat, sepse burri im kishte vendosur 8 kamera sigurie, ndihej i kërcënuar dhe lëvizte gjithmonë i armatosur. Jeta jonë tani ndihet e kërcënuar”.
Mbrëmjen e 30 Korrikut, Renato Omeri ndodhej i ulur në një lokal në zonën e Lungomares në Vlorë, kur një person e qëlloi me pistoletë, duke e lënë të vdekur.
Autori mbante në kokë një kapele. Ai iu afrua viktimës ngadalë dhe pasi e qëlloi të paktën 6 herë u largua.
Ndonëse janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje disa persona, ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen në fjalë.
As dëshmia e personit që ndodhej i ulur me Omerin në tavolinë nuk ka qenë e qartë, pasi ai është shprehur se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt e se nuk mban mend shumë gjëra.
Miku i Omerit pritet të merret sërish në pyetje.
Ndaj 36 – vjeçarit, baba i 3 fëmijëve ishin bërë edhe më herët atentate. Vetëm 2 muaj më parë ai kishte mundur të shpëtonte nga një i tillë, po në qytetin e Vlorës.
Rasti tjetër, ku mbetën të vrarë nipi i Omerit bashkë me mikun e tij, ishte pikërisht ai i 20 Dhjetorit 2015, në afërsi të Torres në qytetin e Durrësit.
30 plumba kallashnikovi u qëlluan në drejtim të Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt, ndërsa Omeri arriti të shpëtonte.
Autoritetet dyshojnë se në këtë rast, objektivi mund të ketë qenë Renato Omeri.
Viktima rezulton një person me precedentë penalë në fushën e narkotrafikut, në Europë. 36 – vjeçari përdorte disa emra, por emri i vërtetë ishte Renato Omeri./sosnews

