Një 37-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Spanjë drejt vendit tonë, pasi akuzohet për disa vepra penale. Sipas policisë, Enkeli Kërrtalli është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Për 37-vjeçarin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në gusht 2017, në Shijak, Durrës, në bashkëpunim me një person tjetër 37-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga Dashamir Gjoka, biznesmen prej dy dekadash dhe që njihet si i “forti” i Shijakut.
Njoftimi i policisë
I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ekstradohet nga Spanja drejt Shqipërisë, 37-vjeçari.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët spanjollë, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi E. K., 37 vjeç.
Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Shtetasi E. K., në gusht 2017, në Shijak, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin M. B., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi D. Gj.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Atentati ndaj biznesmenit
Enkel Kërrtalli së bashku me vëllain e tij Morel Kërtalli, tashmë 42-vjeç, ishin duke pirë kafe në Shijak.
Në momentin që kanë parë Gjokën, kanë shkuar dhe kanë marrë armën, duke qëlluar drejt mjetit të blinduar ku biznesmeni udhëtonte bashkë me fëmijët e tij.
“Dy vëllezërit, më datë 23.08.2017, në vendin e quajtur”Komuna Xhafzotaj”, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip Benz kanë qëlluar me armë zjarri automatik automjetin tip Benz të blinduar (po në lëvizje) që drejtohej nga shtetasi D. Gj. 46 vjeç, banues në Shijak. Nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Gjatë kqyerjes në vendin e ngjarjes u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm”, njoftuan uniformat blu në atë kohë.
Hakmarrja për vëllain
Antentati ndaj tij dyshohet se hakmarrje e dy të rinjve për vëllain e tyre, Elvin Kërtalli, që u ekzekutua mbrëmjen e 26 gushtit të vitit 2013 në qendër të qytetit të Shijakut.
Vëllezërit Kërtalli dyshonin se personi që e vrau vëllain e tyre është mbështetur nga Gjoka, në restorantin e tij.
Gjithashtu ditën ku është ekzekutuar Elvin Kërtallit ka mbetur i plagosur dhe miku i tij Dorian Zotaj.
Kush eshte Dashamir Gjoka dhe hetimi pasuror?
Dashamir Gjoka, nga Durrësi, rezulton i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim qeniesh njerëzore.
Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.
Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se:
Me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të K.Penal, duke qënë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji “Antimafia”).
Në përfundim të gjykimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme të përshkruar si më poshtë;
Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës;
Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.
Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë (te reja).
Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.