Endri Fuga është dorëhequr nga posti i drejtorit të Agjencisë për Media dhe Informim, institucion që nis ta drejtonte që në momentin që u themelua, që më 19 shtator të vitit 2021. Në një reagim, Fuga thotë se do të fokusohet në fushatën e Partisë Socialiste, ndaj do të ishte e udhës që të largohej nga drejtimi i këtij institucioni.
“Nga dita e sotme une do te perqendrohem ne fushaten zgjedhore te PS. Ndonese ligji nuk e pengon, nuk do te ishte e ndershme qe teksa angazhohem ne fushaten e nje partie politike te vazhdoja te drejtoja edhe Agjencine per Media dhe Informim, ndaj kam dhene doreheqjen nga kjo detyre. Nderkohe qe bashke do te vazhdojme te komunikojme per te gjitha ceshtjet qe lidhen me fushaten dhe Partine Socialiste, kontaktet me ju nga ana e MIA do i mbaje Manjola Hasa.”- shkruan Fuga.
Rama e emëroi Fugën në krye të kësaj agjencie me një vendim të firmosur më shtator të vitit 20212, por lajmi u bë publik në janar të 2022-shit. Roli i agjencisë pritej të ishte centralizues për marrëdhëniet me publikun të qeverisë. Në organikën e saj me 61 punonjës u përfshinë të gjithë zëdhënësit e ministrive dhe të gjitha institucionet e qeverisë qendrore dhe punonjës të zyrës së Marrëdhënie me Publikun në kryeministri. Agjencia kontrollon emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri para krijimit të kësaj agjencie emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës dhe mbanin zakonisht statusin e këshilltarit. Kjo agjenci kontrollon gjithashtu aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp.

