“ Kërdia ” që kanë bërë ka detyruar disa agjentë të Policisë Federale Belge dhe një prokuror të vijnë në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po zhvillojnë një operacion për goditjen e një grupi kriminal përgjegjës për grabitjen e qindra banesave në disa qytete të Belgjikës.

Burime konfidenciale të sosnews.al bëjnë me dije se deri më tani janë arrestuar njëkohësisht disa persona në Shqipëri dhe Belgjikë.

Në banesat e shtetasve të vënë në pranga në Tiranë, polica ka gjetur sende me vlerë si ora dhe bizhuteri të shtrenjta që ishin vjedhur kryesisht në Antverp dhe Bruksel.

Po sipas burimeve,grupi kriminal shqiptar vepronte mbi bazën e lidhjeve fisnore dhe anëtaret e tij janë me origjinë nga veriu i vendit. Nga aktiviteti kriminal , grupi siguronte të ardhura të konsideruseshme që dërgoheshin në Shqipëri.

Pak ditë më parë edhe policia Italiane goditi një tjetër grup hajdutësh i përbërë nga 7 shqiptarë që vidhnin banesa në qytetin e Sienës. Në vetëm 5 muaj ata kishin realizuar 70 vjedhje. Bandat shqiptare të bastisjes së banesave apo siç njihen ndryshe “ skifterët ”  janë aktivë edhe në Gjermani.

Deklarata e plotë e policisë :

Konferencë për shtyp në lidhje me operacionin ndërkombëtar të koduar “Pikaso”

Në konferencë Sokol Kalani
Shefi i Task Forcës Anti-Skifter në Policinë e Shtetit

Prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi

Prokurori Belg i çështjes Peter Pereboon

• Operacion ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe organeve ligjzbatuese belge
• Operacioni “PIKASO“, 8 të arrestuar në Shqipëri e Belgjikë, anëtarë të një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve

Task Forca “Anti Skifter” pranë Policisë së Shtetit e krijuar për të luftuar grupet kriminale që kryejnë vjedhje të pronës në vendet e Bashkimit Europian, ditët e fundit në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të Belgjikës, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Krujë ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor ” PIKASO”.
Si rezultat u arrestuan 8 shtetas shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme sendesh në cilësinë e provave materiale si: bizhuteri, orë të shtrenjta, aparate telefonash celularë, aparatura elektronike.

Në zbatim të Letër-porosisë dërguar nga autoritetet ligjzbatuese belge në datat 28 dhe 29 mars 2018, në Shqipëri u ndaluan shtetasit:
• Imir Vila, 37 vjeç, lindur në Zboq, Korçë dhe banues në Tiranë.
• Alerjo Dushku, 31 vjeç, lindur në Adriatik, Kurbin dhe banues në Tiranë,
• Albert Arraj, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dukagjin i Ri, Krujë.

Të ndaluarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Vjedhja” e kryer në kuadrin e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrolleve të banesave të tyre janë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë vjedhur në Belgjikë.

Në të njëjtën kohë me operacionin e zhvilluar nga Policia shqiptare, operacioni i përbashkët ka vijuar në Belgjikë ku autoritetet arrestuan në Bruksel shtetasit shqiptarë:

• Arbër Llulla (alias: Rubens Ahmetaj, Rubens Bulku), 32 vjeç, nga Tirana;
• Deiv Bulku, 25 vjeç, nga Tirana;
• Ardit Skeja, 24 vjeç, lindur në Kurbin, banues në Mëzez, Tiranë;
• Agron Hyseni (alias Astrit Hyseni), 47 vjeç, nga Laçi;
• Flori Saliu (alias Shikim Matranxhi), 26 vjeç, nga Vora, Tiranë.

Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar. Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas, veprimtarinë kriminale e kanë kryer si grup i strukturuar kriminal.

Veprimtaria e tyre ishte e shtrirë kryesisht në Bruksel dhe në disa qytete të tjera belge. Ata kanë kryer një numër të madh vjedhjesh me dhunë të banesave dhe objekteve të tjera. Sendet e vjedhura, një pjesë i kanë shitur, ndërsa pjesën tjetër dhe shumat e parave të përfituara nga shitja e i kanë transferuar në Shqipëri.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit grupet kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit, me fokus krimin e organizuar, përmes partneritetit dhe bashkëpunimit në rritje me agjencitë e huaja ligjzbatuese.//sosnews.al

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version