Vetëm disa ditë më parë Max Verstappen fitoi titullin e tij të dytë radhazi në Formula 1, një sukses që erdhi në pistën e Suzukas në Japoni, duke kurorëzuar kështu 4 gara para përfundimit një sezon të dominuar.
Megjithatë, edhe pse e ka futur në kasafortë trofeun, piloti Red Bullit nuk mendon që t’i tërheqë “rremat në varkë”, pasi është në kërkim të rekordeve të reja në Formula 1.
Rekordi i parë absolut, të cilin Vershtapen mund të barazojë që në garën e radhës në SHBA më 23 tetor, është ai i 13 fitoreve në harkun e një sezoni, rekord i vendosur nga
Mihael Shumaher në vitin 2004 kur fitonte titullin e shtatë, rezultat të cilin më pas e ka arritur edhe bashkëkombësi i tij, Sebastian Vettel në vitin 2013, edicion kur shënonte “pokerin” e titujve kampionë në F1.

Max Verstappen ka katër gara në dispozicion për të barazuar dhe kaluar këtë rekord.
Një tjetër rekord, të cilin mund ta thyejë këtë sezon piloti i Red Bullit, është ai i diferencës më të madhe të pikëve me vendin e dytë në klasifikim. Maks aktualisht ka 113 pikë avantazh nga vendi i dytë, që mbahet shoku i tij i skuadrës, Serxho Perez.
Për të thyer rekordin e Sebastian Vettel të vitit 2013, me gjermanin që e mbyllte kampionatin me +155 më tepër se ferraristi Alonso, pilotit të Red Bulllit i duhet që ta thellojë edhe me +43 pikë diferencën me vendin e dytë.

Një mision i realizueshëm, por jo i lehtë, pasi parashikon që holandezi t’i fitojë të gjitha garat dhe më pas të shpresojë edhe në hapat fals nga Perez e Lëklerk.
Një rekord i lidhur ngushtë me atë të mësipërmin është edhe ai i numrit më të madh të pikëve në një sezon, arritje që mbahet nga Luis Hamilton me 413 pikë në vitin 2019, sezon kur britaniku fitonte titullin e gjashtë kampion.

Me suksesin në Suzuka Max Verstappen ka shkuar në kuotën e 366 pikëve dhe për ta kaluar Hamiltonin do t’i duhen edhe 48 pikë të tjera.
Një objektiv jo i pamundur, duke qenë se në lojë janë plot 100 pikë, shtojmë këtu edhe 4 pikë të tjera bonus të xhirove më të shpejta. Madje Vershtapen do të ketë në dispozicion edhe garën Sprint në Interlagos.
25-vjeçari ka mundësi të barazojë edhe rekordin sezonal të podiumeve. Nëse ai i mbyll katër garat e fundit mes tre të parëve, atëherë holandezi do të arrinte kampionin Hasselt, me plot 18 podiume gjatë një kampionati.
Gjithsesi, duhet përmendur fakti i evoluimit të Formulës 1, pasi siç dihet vitet e fundit kampionati ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të garave, duke ua bërë më të lehtë pilotëve aktualë thyerjen e rekordeve.

