Lëvizjet e fundit në polici me hapjen e konkursit për gradën “drejtues i parë” po nxjerrin më shumë në pah koordinimin mes kryeministrisë dhe ministrisë së brendshme.
Ndonëse nuk është folur zyrtarisht burimet i thanë sosnews se emri i ri që do të zëvendësoje Haki Çakon është dakortësuar mes zyrës së kryeministrit dhe ministrit të brendshëm.
Tashmë me hapjen e konkursit Rebani Jaupi ka ndjekur direktivën e ministrisë së brendshme që në krye të uniformave blu të vijë një nga të parapëlqyerit e Fatmir Xhafajt.
Bëhet fjalë për Ardi Veliun i cili ligjërisht nuk plotëson kriterin bazë të përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm, atë të gradës e cila parashikohet në nenin 13 pika 1 të ligjit për policinë e shtetit.

Nga ana tjetër ky emër duket se ka gjetur dhe mbështetjen e kryeministrit , i cili për të sjellë në krye të policisë Veliun, pret nga Fatmir Xhafaj.
Për të shpëtuar nëpërmjet procedurës ministria e brendshme ka menduar dhe për zgjidhjen.
Të enjten drejtori i komanduar i policisë së shtetit Rebani Jaupi urdhëroi hapjen e konkursit për gradën “Drejtues i parë ”.
Sosnews.al ka siguruar urdhrin e plotë i cili parashikon që kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin deri më 16 janar.
Ky vendim vjen në një kohë edhe kur emrat e tjerë veç Veliut të përfolur për të zëvëndësuar Haki Çakon e liruar nga detyra të hënën nuk plotësojnë kriterin e parashikuar në ligj për postin e kryepolicit të vendit.
Në urdhër janë caktuar edhe emrat që do verifikojnë kandidaturat dhe do kenë edhe të drejtën e komisionit të apelimit për ti dhënë gradën “ drejtues i parë ”.
Në listën e komisionit janë emra të njohur të policisë si Gjovalin Loka drejtori i policisë së shkodrës, Aida Hajnaj drejtoresha e kufirit apo Sokol Bizhga drejtor i forcave të lëvizshme operacionale.
Tashmë mbetet për të parë nëse emri që ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj do ti propozojë këshillit të ministrave do të jetë pikërisht një emër që do të dalë nga ky proces duke hedhur dyshime se kjo garë po zhvillohet për të legjitimuar të preferuar. /sosnews.al