Pas denoncimit dhe publikimit të disa video-përgjimeve nga emisionet investigative në vendin tonë, të ngacmimeve të të miturve përmes rrjeteve sociale, edhe gazetarja Ornela Gaçe ka denoncuar në profilin e saj ‘Facebook” një pedofil.

Sipas gazetares personi i cili shfaqet në videon e publikuar prej saj, ngacmon të miturit pranë Shkollës së Baletit.
Gaçe ka ironizuar policinë e shtetit për vendosjen e gjobave dhe neglizhencën ndaj personave që kryejnë pedofili.
Pas 3 vite përpjekjesh dhe me firmat e mbi 20 mijë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në muajin Korrik, Kuvendi miratoi ligjin për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”, një mekanizëm mbrojtës për fëmijët tanë kundër abuzimeve seksuale. Në të, do të figurojnë të regjistruar personat që nga viti 1995, të cilët janë dënuar, kanë vuajtur dënimin.
Këta individë, tashmë do të duhet të raportojnë çdo lëvizje të tyren jashtë Shqipërisë, si dhe u hiqet e drejta për t’u punësuar në institucione private dhe shtetërorë, ku ka fëmijë. Pjesë e këtij regjistri do të jenë dhe shtetasit e huaj por që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Të gjithë qytetarët, përmes portalit e-albania, do mund të kërkojnë, nëse dyshojnë se dikush pranë tyre, mund të jetë pedofil. Në vendin tonë janë rreth 100 persona që kanë kryer dënimin për dhunë seksuale ndaj të miturve dhe që enden të lirë rrugëve.