Detaje të frishme e që ngjajnë me një skenar filmi kanë dalë në dritë pas vrasjes së Ardian Nikulajt. Ky i fundit, raportohet se ka konsumuar darkë me disa nga bashkëpunëtorët e vrasjes së tij.
Informatorët kanë hyrë në lokalin e biznesmenit të tjerë, duke u shtirur si turistë e duke darkuar më pas me shenjestrën e tyre. Po ashtu, në pamjet e siguruara nga ‘TopChannel’ shihet se bashkëpunëtori i vrasësit ka luajtur bilardo me djalin e viktimës, ç’ka dëshmon se autorët po e studionin deri në detaje Ardian Nikulajn, para se të vinin në zbatim planin e tyre.
Edmond Haxhia, ishte ai që porositi shtetasit e huaj për të kryer vrasjen e biznesmenit. Planit nisi para tre muajsh, kur Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.
Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson. Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes që kishte të hapura me fisin Nikulja, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lestakaj që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin.