Mentaliteti ka shkaktuar një masakër në Klos. Pasditen e sotme, rreth orës 14:00, u raportua për të shtëna me armë zjarri në Bashkinë Klos, ku dhe u raportua për një të plagosur.
Por ngjarja ishte më e rëndë. Fiqiri Mjeshtri, në debat e sipër kishte vrarë babë e bir, por edhe plagosi dy persona të tjerë që ndodheshin brenda lokalit ku edhe ndodhi përplasja. Sot, Mjeshtri kishte kërkuar takim me Ilir (Liri) Shirën dhe djalin e tij, Kenadon.
Kjo sepse adoleshenti kishte nisur një histori dashurie me vajzën e autorit të vrasjes. 17-vjeçari me të mbaruar shkollën kishte shkuar në lokal ku do të takohej me Mjeshtrin dhe të atin, pa e ditur që do të ishte gjëja e fundit që do të bënte.

Në debat e sipër, Fiqiriu ka nxjerrë armën dhe ka nisur të qëllojë, ndërsa adoleshenti ka dalë para plumbave për të mbrojtur të atin. I mituri ka ndërruar jetë në vend, ndërsa të gjithë banorët e zonës e kanë parë të japë shpirt në vendin ku është qëlluar, pasi ndihma e parë u vonua. Edhe pse tentoi të shpëtonte të atin, ai ndërroi jetë disa minuta pas të birit në spital.
Të plagosur mbetën Eglantin dhe Renato Hasula, pa asnjë lidhje me ngjarjen, të cilët po konsumonin kafe rastësisht në lokal. Të dy janë sjellë në Tiranë me urgjencë pasi ndodhen në gjendje të rëndë.
Ndërkohë që autori, pasi u largua nga vendi i ngjarjes, vendosi që t’i merrte jetën vetës. Zgjodhi të vetëvritej më mirë se të përballej me drejtësinë. Por, Policia ka prangosur dy vëllezërit e tij, Besnik dhe Bakir Mjeshtri.
Këtë të fundit ndodheshin bashkë me vëllanë e tyre, por nuk bënë asgjë për ta ndaluar gjakderdhjen, që mori jetën e dy personave, e po rrezikon dy të tjerë.
Marre nga Dosja.al