Një histori e tillë vjen nga kryeqytetit ku një çift i martuar prej më shumë se 28 vitesh vendosën ti japin fund martesës së tyre në formën më të shëmtuar të mundshme.
Prindër të dy vajzave E.G dhe M.G përkatësisht 57 dhe 55 vjeç janë konfliktuar keqas gjatë procesit të divorcit.
Pronar të një lokali pranë rrugës së “Durrësit” ku punonin bashkërisht, ata janë ulur për të diskutuar rreth procedurave gjyqësore.
Debati është acaruar dhe nuk është gjetur gjuha e duhur e komunikimit,pasi e bashkëshortja M.G pretendonte se E.G konsumonte pije alkoolike dhe nuk e përfillte.
Burri ka deklaruar se gruaja e cila kishte kërkuar divorcin mund të ushqehej në lokal, por nuk mund të punonin më bashkë sepse i dëmtonte biznesin.
Në debat e sipër E.G ka reaguar dhunshëm duke e shtyrë bashëkshorten dhe përplasur në karriget e lokalit dhe dëmtuar në pjesën e kurrizit.
Më pas 57 vjeçari e ka mbyllur në pjesën e poshtëme të lokalit, e cila shërbente si ambient ndihmës (guzhinë dhe bodrum). Pasi ka mbyllur me çelës derën e këtij ambienti, ai është larguar nga lokali i tij.
Duke u ndjerë e dhunuar 55 vjeçarja dhe për shkak të pamundësisë për të dalë nga lokali, ka telefonuar në numrin 129 dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Dy punonjësit e policisë që kanë mbërritur në lokal kanë komunikuar me të dëmtuarën M.G e cila i ka thënë se nuk kishte çelësa dhe e kishte të pamundur të dilte nga ambienti ku ishte mbyllur.
Pasi nuk kanë gjetur asnjë mundësi tjetër dy punonjësit e policisë kanë çmontuar pjesën prej xhami të derës, duke e hapur nga gominat. Më pas punonësit e policisë kanë ndihmuar të dëmtuarën të dalë nga ambienti ku ndodhej dhe e kanë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë.
Bashkëshortja ka bërë kallëzim penal në polici duke pretenduar se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, e ka mbylluar në ambientet e guzhinës së lokalit pa dëshirën e saj dhe se kërkonte ndjekjen ligjore të kësaj situate.
Mbi bazën e këtij kallëzimi penal në vijim është marrë vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor të të dëmtuarës nga ku ka , rezultuar se: tek ajo në shpatullën e majtë dhe në kurriz konstatohen edema dhe ekimoza me ngjyrë të kuqe në mavi, të shkaktuara me mjete të forta mbretëse dhe që kategorizohen në dëmtime të parëndësishme (rrahje).
Gjatë hetimeve dhe në gjykim i pandehuri E.G ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe se e ka mbyllur ne bodrumin e lokalit, duke pretenduar se nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet dhe se nga ana e organit të prokurorisë janë manipuluar faktet dhe provat. I pandehuri ka pretenduar se lokali i tij nuk ka bodrum dhe e dëmtuara M.G i ka patur celësat për dalë nga ambienti ku ndodhej.
Sipas prokurorisë në rastin konkret, ana objektive e dhunës ndaj të dëmtuarës qëndron pikërisht në kufizimin e lirisë (heqjen e saj) dhe me dëmtimet e shëndetit (rrahje).Vepra penale e dhunës në familje përfshin ccdo element dhune fizike apo verbale (deri me pasojë plagosje të lehtë) ndaj të dëmtuarve subjekte të posacëm (pjestarë të familjes) dhe duke qenë kështu veprat penale të dëmtimeve të shëndetit nuk konkurojnë me dhunën në familje pasi janë vetë ana objektive të kësaj vepre.
I njëjti arsyetim dhe logjikë juridike ekziston edhe për veprën penale të “Heqje e paligjshme e lirisë” parashikuar nga neni 110/1 i kodit penal. Nga ana subjektive, i pandehuri i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme të dëmtuarës me qëllim për të cënuar integritetin integritetit fizik dhe psiko-social të saj.
Sa më sipër, pavarësisht e fakti ekziston dhe vepra penale është kryer, akuza për nenin 110/1 të kodit penal nuk mund të qëndrojë si akuzë me vete, pasi elementët e saj (ana subjektive, subjekti dhe ana objektive) janë përfshirë nga akuza e kryerjes së veprës penale të “Dhuna në familje” parashikuar nga neni 130/a pg.1 i kodit penal.
Në përfundim Gjykata e Shkallës së parë dhe ajo e Apelit e kanë dënuar 57 vjeçarin me 1 muaj heqje lirie ndërsa martesa mes tyre u zgjidh me vendimin e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. /sosnews
