Dy ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili fliste për lirinë e medias, sot në ambientet e “Prestige Resort” kanë mbërritur forcat e Policisë dhe të IKMT për të konfiskuar godinat, pa një njoftim paraprak dhe pa një vendim gjykate. Ato kërkojnë konfiskimin e godinës.
“Nëse po thoni që na jepni kohë për të liruar godinën, duhet të na kishit njoftuar zyrtarisht më përpara dhe jo të vinit në një ditë pushimi zyrtar. Për sot nuk keni sjellë njoftim zyrtar”, tha avokati i “Hysenbelliu Group”.
Shembja e ‘Prestige Resort’ kishte vend edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin e kaluar. Ky sulm ndaj një biznesi përmendet në raport si një trysni mbi mediat.
“Më 4 dhjetor, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit prishi një hotel duke përmendur shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit. Në datën 1 dhjetor, kompania e ndërtimit të resortit kishte depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit, duke kërkuar një vendim në pritje të shqyrtimit ligjor të urdhrit të prishjes së IKMT. Gjykata nuk caktoi menjëherë gjyqtarin dhe IKMT vazhdoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shkatërrua për të mbytur kritikat dhe mospajtimet. Qeveria pohoi se veproi në përputhje me ligjet në fuqi dhe se kjo prishje ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të çrrënjosur ndërtimet e paligjshme në vend”, thuhet në raport e DASH.

