Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë për Ministren e marrëdhënieve me Parlamentin Elisa Spiropali. Kërkesa e PD-së ka ardhur me arsyetimin se Spiropali gjatë seancës së djeshme ka përdorur gjuhë fyese ndaj deputetit Edmond Spaho. Kërkesa për përjashtimin e Spiropalit është firmosur nga 10 deputetë të Partisë Demokratike.
‘Kërkojmë zyrtarisht përjashtimin 10 ditë nga kuvendi të Elisa Spiropalit për gjuhën e përdorur në drejtim të deputetit Edmond Spaho. Duke përfituar nga përjashtimi pa rregulla i bërë deputetit Spaho dhe mos prezenca e tij në sallë që të merrte përgjigjen që meritonte, Elisa Spiropali nxorri arsenalin e saj fyes që i shkon përshtat komunikimit që përdorin rilindasit në zyrat e shtetit por që nuk përputhet me kodin etik të kuvendit.Në parlament e kanë bërë zakon të fyejnë dhe të mallkojnë pa pyetur për kod etik sepse kanë kartonat e mandateve të blera që i mbrojnë dhe rregulloren e kanë kthyer në copë letër për recitim parlamentar.’- shkruan deputetja Ina Zhupa.
Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ditën e djeshme ka ironizuar deputetin demokrat Edmond Spaho, pasi u përjashtua nga parlamenti me 10 ditë, pasi në seancën e kaluar i ka rënë bilbilit dhe ka bllokuar foltoren.

