Ishte i arrestuar për vjedhje biçiklete. Sipas të dhënave jo zyrtare, masa ndaj tij është marrë të premten, ndërkohë që ditën e shtunë, bëhet fjalë për javën që lamë pas, familjarët kanë shkuar ta takojnë.

Administrata e paraburgimit nuk i ka lejuar për faktin se është fundjavë dhe ata duhej të vinin të hënën që të takoheshin me djalin e tyre, që në fakt, për fatin e keq të tyre nuk e takuan kurrë më të gjallë.

Dy ditë më parë, teksa ishte edhe dita e takimit me të, familjarët, të cilët janë shumë afër vendit ku ishte i izoluar djali i tyre vijnë te paraburgimi dhe përballen me lajmin e kobshëm: Renaldi ka ndërruar jetë! As të hënën ngjarja nuk u bë publike, ndërkohë që ditën e djeshme, familja Tahiri i ka dhënë lamtumirën e fundit Renaldit, ndërkohë asnjë e dhënë tjetër nuk e shoqëron ngjarjen tragjike të humbjes së jetës së të riut në qelitë e paraburgimit në ambientet e “302” në rrugën Mine Peza.

Nga të dhënat që vijnë nga familja mësohet se është bërë gati një padi për drejtorinë e këtij burgu, ndërkohë që ata kanë hedhur dyshime që njeriu i tyre ka ndërruar jetë që ditën e shtunë. Policia, Prokuroria, burgjet dhe asnjë institucion përgjegjës nuk ka ende një reagim zyrtar për ngjarjen e rëndë. Sipas të dhënave, bëhet me dije se zyra e posaçme që merret me hetimin dhe verifikimin e këtyre rasteve tek Avokati i Popullit ka nisur grup pune në qelitë e “302” që ditën e diel, por ky grup ende nuk ka përpiluar ndonjë relacion për rastin e vdekjes së Renald Tahirit, 38 vjeç, nga Tirana.

NGJARJA

Renald Tahiri ka ndërruar jetë në ambientet e Burgut “302” në “Mine Peza” në Tiranë. Rrethanat e ngjarjes së rëndë, e cila nuk është raportuar zyrtarisht nga autoritetet, mbeten të paqarta. Ai ra në pranga të premten e kaluar për vjedhje, ndërsa familjarët nuk janë lejuar ta takojnë gjatë fundjavës me pretekstin se nuk lejoheshin takimet. Të shtunën thonë, burime jo zyrtare, ka ndërruar jetë, teksa familjarët thonë se gjithçka ka ndodhur brenda qelisë.

Ndërkohë nga ana tjetër, autoritetet pretendojnë se janë ndjekur të gjitha procedurat standarde, përfshirë edhe ofrimin e ndihmës shëndetësore. Ai ra në pranga për vjedhjen e një biçiklete, teksa njihet në zonën e “Brrakës” ku edhe jetonte, si konsumues i lëndëve narkotikëve. Disa herë ishte përballur me drejtësinë për vepra të tilla, për shkak se në shumicën e rasteve, i kryente për të siguruar para që të blinte drogën. Familjarët pretendojnë se janë njoftuar vetëm të hënën për vdekjen e tij, ndërsa hapën dyert e mortit. Edhe pse policia ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje, familjarët e Tahirit thonë se ai ka humbur jetën të shtunën në qelinë e burgut. Familjarët kanë treguar për mediat se ata nuk janë lejuar ta takojnë kur ai është arrestuar me pretekstin se në fundjavë nuk lejohen takimet.

Ata kanë dyshime se në burg nuk i është dhënë ndihma e nevojshme prandaj janë duke përgatitur edhe një kallëzim kundrejt burgut ku Tahiri humbi jetën. Trupi u përcoll për në banesën e fundit pas ceremonisë mortore në orën 12:30 këtë të martë. Familjarët kanë ngritur pretendime dhe akuza për mosdhënie ndihme ndaj djalit të tyre. Sipas informacioneve, mësohet se ata po përgatisin një kallëzim kundrejt burgjeve për vdekjen e dyshimtë të Renald Tahirit.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version