Një 32-vjeçar me iniciale V.B. nga Kosova është vënë në prangat e policisë ditën e sotme në Portin e Durrësit.
Policia bën me dije se në automjetin që ai po drejtonte janë gjetur 7 vepra arti, skulptura për të cilat i riu nuk kishte asnjë dokument.
Ndaj tij tashmë rëndojnë akuzat për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Njoftimi i policisë
Port Durrës/Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Goditet në port, një rast i tentativës për trafikim të veprave të artit.
Vihet në pranga një 32-vjeçar nga Kosova. Sekuestrohen 7 vepra arti (skulptura), të dyshuara si vepra arti.
Shërbimet e PKK Port Durrës, si rezultat i kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës, si dhe bazuar në analizën e riskut, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, goditën një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi V. B.
Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 vepra arti (skulptura) për të cilat 32-vjeçari nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 32 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

