Orëve të vona të së dielës, Tirana është tronditur nga një ngjarje e rëndë ku një person është ekzekutuar në një pritë mafioze vetëm pak metra larg banesës së tij.
Policia njoftoi vetëm se ishte qëlluar në rrethana të paqarta një 39-vjeçar, i cili kishte humbur jetën në spital dhe pak më vonë, Policia ishte lajmëruar për një zjarr në Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash. Kur Policia shkoi në vendin e zjarrit kuptoi se kishte të bënte me një mjet të djegur që dyshohej se iu përkiste autorëve të sulmit me armë te vendi i quajtur “Kodra e Diellit”.

E ndërsa autorët kishin mundur të largoheshin të qetë dhe pa u parë nga askush, pasi edhe vendi ku është djegur mjeti nuk ka pasur kamera sigurie, Policia kthehet tek emri i viktimës për të gjurmuar ndonjë detaj për t’i çuar së paku te motivi i atij atentati mafioz. Ngjarja duket se është e mirorganizuar nga vrasësit, të cilët nuk kanë qenë të vetëm në të gjithë atë gjurmim dhe më pas ekzekutim mafioz, duke e pritur në vendin ku ai duhej të shkonte me patjetër, në atë rezidencë ai kishte gruan dhe dy fëmijët. Personi që ka ndërruar jetë, nga të paktën tre plumba, është Skerdilaid Sanaj, banor i lagjes Varosh të Lezhës, i cili viteve të fundit kishte ndërruar emrin në Briken.
Aq sa ka mundur të zbulojë Policia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me atë të Lezhës, lidhet vetëm me jetën e viktimës, i cili sipas të dhënave ka jetuar mes Italisë dhe Shqipërisë, ndërkohë që Policia jonë nuk ka asnjë të dhënë që të jetë i përfshirë ndonjëherë në ndonjë ngjarje kriminale, apo të ketë ndonjë precedent të mbartur nga vendi ku ka jetuar dhe punuar. Si gjithnjë, Policia thotë se po punohet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që autorët kanë lënë gjurmë dhe mjetin në flakë, pa u preokupuar t’i fshijnë të gjitha gjurmët.
VRASJA
Skerdilaid Sanaj, sipas të dhënave, ka qenë gjatë paradites dhe pasdites së djeshme në zonën e Lezhës. Të dhënat flasin se ai ka qenë i ftuar në një dasmë dhe pasi ka mbaruar dasmën ai është nisur për në Tiranë, pikërisht te “Kodra e Diellit”, vend në të cilin sipas të dhënave jetonte me familjen e tij. Sapo mjeti ka kaluar traun e rezidencës dhe ka hyrë në kompleks, Sanaj ka drejtuar mjetin për në garazhin e tij, pasi e ka mbyll ai ka dalë dhe në dalje të portës së madhe një breshëri kallashnikovi e ardhur nga përballë i ka marrë jetën në vend.
Dy shokë të tij, të cilët janë edhe personat që kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë për ta nisur për në spital, kanë parë një siluetë që ka ikur me vrap nga pjesa e pasme e kompleksit, duke kapërcyer telat për ta marrë automjetin që ka qenë në pritje ngjitur me rrethimin. Ndihma për Skerdilaidin ka qenë e kotë, ndërkohë që autorët kanë marrë Unazën e Re, kanë dalë në rrugën e Durrësit, e prej aty në rrugën dytësore, ose siç njihet, rruga “Industriale” për të djegur më pas mjetin dhe për t’u larguar të qetë në drejtim të paditur. Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se makina “Benz” që u gjend në flakë ka rezultuar e grabitur dhe madje edhe e denoncuar, po ashtu siç edhe targa e mjetit, që sigurisht nuk ishte e mjetit, por e një tjetër mjeti të vjedhur në Tiranë.
Policia e as Prokuroria nuk kanë mundur të gjejnë asnjë të dhënë që e implikon viktimën në ndonjë ngjarje e për pasojë kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të Lezhës për të parë nëse familja e Mark Sanajt, të atit të viktimës të ketë ndonjë hasmëri apo probleme gjakmarrjeje. Në fakt, Policia ka hasur një ngjarje që daton 12 vite më parë, një konflikt mes familjes Sanaj dhe një familjeje tjetër në Lezhë, por hetimet e konsiderojnë si pistë që nuk do t’i çojë te motivet dhe aq më pak tek atentatorët e së dielës mbrëma. Janë marrë në pyetje dy miqtë e viktimës, ndërkohë që priten edhe dëshmi të tjera. Policia dhe Prokuroria pretendojnë se dëshmitë e familjarëve të viktimës mund të jenë të vlefshme për hetimin dhe mundësinë për të hedhur dritë mbi shkaqet reale të atij ekzekutimi. / Panorama