Deputetët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit nuk kanë dhënë votën pro heqjes së imunitetit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.Në një prononcim për mediat pas mbledhjes , deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se provat e prokurorisë ishin të pamjaftueshme për të autorizuar arrestimin e Tahirit.
Në ditën e dytë të seancës së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh se disponon materiale dhe prova të reja për deputetin socialist të mbërritura nga drejtësia italiane. Ai kërkoi zhvillimin e mbledhjes pa praninë e Tahirit dhe avokatit mbrojtës, Artan Hajdari. Ai theksoi gjithashtu se ka edhe një dëshmi të re nga punonjës policie në Vlorë, që sipas organit të akuzës implikon Tahirin në përfshirjen e tij në dosjen Habilaj. Me urdhër të kreut të Kuvendit dhe njëherazi drejtues i Këshillit të Mandateve, Gramoz Ruçi paraqitja e provave të reja nga Prokuroria u bë në seancë me dyer të mbyllura, ndërsa Tahiri, avokati i tij dhe mediat dolën jashtë. Pas rreth një ore seanca ka vazhduar me prani te Saimir Tahiri dhe medias.
Ish-ministri i Brendshëm tha se ai është i gatshëm të hetohet, por nuk mund të pranojë pranga politike në duar. Ai shtoi gjithashtu “nuk rri në parti me vrasës dhe hajdutë”, duke iu referuar kryetarit të PD, Lulzim Basha për dosjen e Rrugës së Kombit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për Gërdecin.
“Një familjar i joti ka vrarë një njeri, do pranoje ti të shkoje në burg? Jam gati të hetohem, të kontrolloni banesën time, por pranga politike në duart e mia nuk pranoj. Dhe kjo për standardin tim me ligjin, se po të jetë për t’u krahasuar unë me ju të gjithë bashkë, unë si ty që të rri në një parti me kriminelë nuk rri. Që të rri krah për krah me hajdutë, që shpëtojnë me raporte mjekësore si nxënës të klasës së parë, unë nuk rri me njerëz që kanë vrarë 26 veta në Gërdec”, iu drejtua Tahiri, deputetit të PD Enkelejd Alibeajt.
