Enton Abilekaj
Sot në 15.00, Komisioni Rregullator i KQZ, bëri një mbledhje të pakërkuar. Njësoj si propozimet e pakërkuara që zhvatën buxhetin nga 2013 e deri sot, mbledhja e Komisionit kishte synim zhvatjen. Zhvatjen e mundësive të barabarta që garanton Kushtetuta dhe mbi të cilat ngrihet gjithë sistemi demokratik, zhvatjen e themelit të demokracisë, barazinë përpara votuesve.
Kështu, mbledhja e pakërkuar u bë, jo për të plotësuar ndonjë boshllëk rregullash zgjedhore, por për të zhbërë rregullin bazë, të regjistrimit të partive dhe kandidatëve pa diskriminim, me short të hapur. Në 23 shkurt, po ky komision kishte marrë një vendim pothuajse normal, që diskriminonte kandidatët e pavarur, të paktën vetëm ata. Sot u vendos që në fletën e votimit partitë të renditen në bazë në numrit të kandidatëve.
Partitë me 61 kandidatë për këshilla do të hedhin short për vendet e para në renditje, partitë me 31- 60 kandidatë vendet më poshtë, partitë me 1 deri 30 kandidatë akoma më poshtë dhe në fund kandidatët e pavarur.
Kjo do të thotë që PS dhe Koalicioni Bashkë Fitojmë të hedhin short për 2 vendet e para në fletën e votimit. Nëse PD e Alibeajt ka dëshirë të hyjë në shortin e të parave duhet të nxjerrë 61 kandidatë. Nëse nxjerr 1 më pak kalon në shortin për vendet më poshtë, ndërsa një parti si lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hyjë në fazën e tretë të shortit për të kapur një nga vendet e fundit në fletën e votimit.
Ky rregull antiKushtetues, që shkel rëndë edhe Kodin Zgjedhor, nuk bazohet në asnjë nen të gjithë kuadrit ligjor të vendit. Thjesht mban erën e propozimeve të pakërkuara, mban erën e rëndë të një shkeljeje syri ose marrëveshjeje të fshehtë mes partive përfituese, PS, PL dhe të dyja grupimeve të PD, madje më shumë grupimi i Berishës, për të diskriminuar forcat e tjera, partitë e reja, kandidatët e mirë. Përveç se shkel Kushtetutën dhe Kodin, e orienton votuesin të zgjedhë një nga partitë e vjetra, një nga kandidatët e establishmentit politik.
Naiviteti i koalicionit Bashkë Fitojmë, që pretendon se përfaqëson opozitën por që nuk e kontestoi këtë vendim ndërsa po merrej dhe as pasi u mor, është se ka pranuar këtë pakt të ndyrë, për tu favorizuar ndaj partive të tjera, pa e kuptuar se me këtë vendim PD e vulës do të jetë e detyruar të nxjerrë 61 kandidatë, duke ia vështirësuar punën në çdo bashki.
Ky duket si një vendim që i bën mirë klasës politike për të mbrojtur veten, duket si precedenti që konfirmon monopolin politik të 3 partive që e kanë mbajtur peng vendin për 33 vjet, por në fakt, si gjithmonë në marrëveshjet e pista, i shërben vetëm Edi Ramës, që të garantojë, jo vetëm vendin e parë apo të dytë në fletën e votimit, por edhe çarjen e votave të opzozitës në të gjitha bashkitë e vendit. Ky turp antiKushtetues, që u bë nga institucioni që duhet të garantojë barazinë e partive përpara votuesve, ky përdorim i KQZ kundër votës së lirë, është akti i dëshpërimit të një klase politike që po tenton të shtyjë sa të mundet fundin e saj.