Ora e madhe po afron për Kroacinë që sonte në mbrëmje do të zhvillojë gjysmëfinalen e saj të tretë në një kampionat botëror. Një tjetër arritje e rëndësishme për një komb që shpalli pavarësinë në qershor 1991 dhe që u njoh ndërkombëtarisht në janar të vitit pasardhës.
Me sportin si flamur të tyre, kroatët kanë marrë pjesë në gjashtë nga shtatë Kupat e Botës të organizuara që nga pavarësia e tyre, sepse në 1994-ën nuk u pranuan nga FIFA. Ata dështuan vetëm në vitin 2010-të, në një grup kualifikues në të cilin ishin të tretët pas Anglisë dhe Ukrainës. Dhe në ato gjashtë kampionatet botërorë që ka marrë pjesë, në gjysmën e tyre, Kroacia ka mbërritur deri në 4 më të mirat, teksa arritjen më të madhe e ka në Botërorin e vitit 2018-të në Rusi, kur shkoi deri në finale, por u mund nga Franca: 1998-të (e treta), 2018-të (nënkampione) dhe në Katar do të kërkojë finalen e dytë kundër Argjentinës.
Të dhënat janë të jashtëzakonshme, veçanërisht kur krahasohen me gjigantët europianë të futbollit. Vetëm Gjermania, katër herë në katër vendet e para në gjashtë Botërorët e saj të parë e kalon atë. Pas saj është Italia (2 nga 6) dhe, me një nga gjashtë, Spanja, Franca, Anglia dhe Portugalia.
ISH-BLLOKU – Kroatët janë i vetmi komb që ka dalë nga shpërbërja e atyre që ishin nën ombrellën e Bashkimit Sovjetik, që ka mundur të instalohet në elitën e futbollit botëror. Ngritja e saj në mesin e më të mirëve bazohet në Kupën e Botës, por Kroacia është kualifikuar në gjashtë nga shtatë kampionatet europiane të luajtura që nga pavarësia e saj. Dy herë kanë qëndruar në portat e gjysmëfinales: 1996-të, 2-1 ndaj Gjermanisë dhe në vitin 2008-të përballë Turqisë. Asnjë nga 24 skuadrat e tjera që janë pjesë e UEFA-s dhe që ishin pjesë e “Perdes së Hekurt” nuk i afrohet asaj që kanë arritur kroatët.

Në anën tjetër të kufirit të tyre, serbët nuk kanë mundur të përziejnë talentin e tyre natyror me fanellën konkurruese që e ka bërë skuadrën kroate një ekip të frikshëm për të gjithë. Serbët kanë qenë në pesë Kupa Botërore që nga shpërbërja e Jugosllavisë; vetëm në Francë 1998-të kaluan fazën në grupe, për t’u eliminuar në 1/8-at e finaleve përballë Holandës. Bullgaria e Stoiçkovit, në vitin 1994-ën, është e vetmja që ka mundur të futet mes katër më të mirave në një Kupë Bote, një hap që kroatët e kaluan në vitin 2018-të kur arritën në finale, të cilën e humbën kundër Francës 2-4. Nga ajo që ishte Blloku Komunist, pati katër precedentë të tjerë në finalet e Kupës së Botës. Dy përpara se Europa të ndahej në dysh për shkak të Luftës së Dytë Botërore (humbjet e Çekosllovakisë dhe Hungarisë kundër Italisë, 1934 dhe 1938) dhe dy tashmë me Moskën si babai i Lindjes: RF Gjermane – Hungari 3-2 (1954) dhe Brazil – Çekosllovaki 3-1 (1962).

Që nga viti 1991 kur fitoi pavarësinë, tri gjysmëfinalet e Kupës së Botës të arritura nga Kroacia janë tejkaluar vetëm nga Brazili me katër të tilla (1994, 1998, 2002 dhe 2014), Gjermania (2002, 2006, 2010 dhe 2014) dhe Franca (1998, 2006, 2002, 2018). Ajo barazohet me Holandën (1998, 2010 dhe 2014). Të tjerat vijnë të gjitha pas kroatëve.
ÇELËSI – Çfarë i bën të veçantë kroatët që kanë arritur një status të tillë në futbollin botëror? Këtë e shpjegon dikush që mbrojti fanellën e Kroacisë, Sllaven Biliç. “Kur luan kombëtarja, është sikur luan i gjithë vendi”, thotë ish-lojtari i Sportingut. Ai thekson një aspekt: “Kur Kroacia ndien se po e mundin, se po e bëjnë të vuajë, bëhet edhe më agresive, më luftëtare. Gjithkush mund ta mundë Kroacinë, por asnjëherë lehtë. Kushdo që e vesh fanellën e Kroacisë e di se nuk mund të dorëzohet”. Por jo vetëm kaq. “Nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, luftën dhe rebelimin. Kroacia ka pasur gjithmonë cilësi. Është e përzier me karakterin e tyre. Përveç kësaj, lojtarët tanë janë në ekipe të mëdha”, thotë ai.
E gjithë kjo e ka kthyer ekipin kroat në një simbol kombëtar. “Sa herë që luan Kroacia, jeta ndalon. Nuk ka rëndësi kush është rivali. Nga çdo shtëpi, çdo shesh, çdo qytet vjen mbështetja për kombëtaren”. Por Biliç e di se ka diçka për të përmirësuar: “Ne kemi nevojë për më shumë infrastrukturë dhe investime për futbollin tonë, në mënyrë që kampionati ynë të rritet dhe të marrim më shumë lojtarë. Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se çfarë do të thotë kombëtarja për vendin tonë dhe imazhin e saj të jashtëm”. Biliç zgjedh tre terma për të përcaktuar futbollin kroat: “Konkurrues, luftëtar dhe fitues. Nga respekti për secilin rival, kur je në fushë nuk ka kufij, nuk sheh askënd më të mirë. Nëse humbet, përgëzon rivalin. Të qenit i dyti nuk ekziston në kokën tonë”. / Panorama

