Largohet nga detyra, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Ditën e sotme, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar. Në dekretin e Presidentit, thuhet se largimi i Bendos nga detyra është kryer me propozim të Kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit, pak minuta pas bërjes publike të lajmit, postoi një foto nga zyra e tij me Bendon. Rama deklaroi se Bendo kishte ofruar dorëheqjen e tij, pasi do ndjekë studimet në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara.
Rama tha se Bendo do të jetë i angazhuar si këshilltar i tij për reformën e institucioneve të sigurisë. Ky largim, ishte paralajmëruar 1 javë më parë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Shkarkimin nga detyra të kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendos, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e kishte paralajmëruar një javë më parë. Më 16 dhjetor, në konferencën e tij të përjavshme, Berisha tha se një drejtor është larguar nga Rama, (duke iu referuar Bendos), madje shtoi se i ishin mbyllur institucionit dhe nuk po lejohej të merrte detyrën.
“Informoj shqiptarët se në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, në një akt mafioz të pashembullt, shefit të Shërbimit Informativ, të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA, pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligji, i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën, pa asnjë akt, pa asnjë vendim, të atij që supozohet të jetë kryetar shteti, dhe që mbron firmën e institucionit. Shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, propozohet nga kryeministri, por emërohet nga presidenti, dhe po me ligj, ai u raporton të dyve.
Ky është një akt i turpshëm, që dëshmon se këtu nuk ka shtet, por ka vetëm një njeri që nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe parim dhe ky është Edi Rama. Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë. Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe,”-tha Berisha.
Mesa duket kryedemokrati Berisha ka pasur një informacion nga brenda institucionit dhe nga ajo që ndodhi sot, duket se ka pasur të drejtë.

