Katër të rinjtë, të cilët akuzohen se mbrëmjen e hënës vranë 22 – vjeçarin Marvi Mihali do të qëndrojnë në burg.

Ka qenë ky vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës, në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të enjte.

24 – vjeçari Eugen Bitraj, personi që dyshohet se e goditi Mihalin për vdekje dhe 3 të rinjtë e tjerë bashkëpunëtorë në krim, Dejvi Bitraj, Kridens dhe Marsel Alla nuk kanë pranuar të flasin para gjykatës, duke thënë se do të flasin në një moment tjetër.

Seanca gjyqësore u zhvillua gjatë mesditës, ndërkohë që jashtë ambienteve të gjykatës ndodheshin gazetarë të shumtë.

Me sytë e përlotur babai i Eugen Bitrajt, Tom Bitraj para kamerave u shpreh i hidhëruar për ngjarjen e rëndë. Ai i kërkoi falje familjes së viktimës dhe tha se shpresonte që të gjendej një zgjidhje.

“Situata është shumë e nxehtë, jemi në kërkim të gjejmë një mik të përbashkët që të marrë masat, që të na orientojë drejt zgjidhjes”.

Mbrëmjen e së hënës, 22 – vjeçari Marvi Mihali u godit për vdekje me thikë, pas një konflikti që kishte lindur për shkak të një celulari.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Mihali, student drejtësie, i kishte blerë një telefon 19 – vjeçarit Dejvi Bitraj. Kur aparati kishte nisur të shfaqte probleme, Mihali kishte debatuar fillimisht me Bitrajn në telefon.

Por ky debat nuk është mbylluar me kaq dhe të rinj janë takuar pranë stadiumit “Dinamo” për t’u sqaruar.

Dejvi Bitraj thërriti kushëririn Eugen Bitraj dhe dy miqtë e tij, vëllezërit Kridens dhe Marsel Alla.

Palët u përplasën dhe situata përshkallëzoi. 24 – vjeçari Bitraj e goditi të riun Mihali disa herë me thikë, duke i çarë aortën, arterien kryesore të zemrës.

Pas krimit, të rinjtë u larguan nga vendi i ngjarjes, duke hedhur në breg të lumit të Lanës armën e krimit, që ende nuk është gjetur nga autoritetet./sosnews

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version