Lufta në Ukrainë arrin në ditën e 432-të. Qeveria e Kievit njofton se është gati për një kundërsulm. Forcat ruse kanë sulmuar mbrëmë me raketa Pavlohrad, në rajonin e Dnipros, ku kanë mbetur të vdekur 2 person a 40 të tjerë raportohet të plagosur. Megjithatë, sipas ukrainasve, shumë dronë dhe raketa u rrëzuan nga zjarri kundërajror.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se forcat e armatosura ruse kanë humbur më shumë se 100,000 burra që nga dhjetori, me 80,000 të plagosur dhe 20,000 të vdekur. Sipas SHBA-së ofensiva e Moskës kundër Bakhmutit ka dështuar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy deklaron se vendi i tij mund të fitojë luftën ndaj agresionit Rus, por qëllimi kryesor është çlirimi i territoreve. Ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Kina të bindë Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se armët e furnizuara nga Gjermania po përdoren tashmë në rajonin e Donbasit, të cilin Rusia e ka shpallur të sajën, një hap që Ukraina dhe Perëndimi e kanë hedhur poshtë si të paligjshëm. Kremlini deklaron se bisedimet me Perëndimin për marrveshjen e grurit në Ukrainë, vazhdojnë.
Zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov nuk ka dhënë detaje për negociata lidhur me nismën, e cila skadon më 18 maj. Kremlini deklaron se nuk ka dijeni për një mision paqeje të Vatikanit për Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të martën se Moska nuk kishte asnjë informacion në lidhje me iniciativën.
Shërbimi inteligjent i Danimarkës pret që Rusia të rekrutojë civilë dhe të përdorë gazetarë dhe njerëz të biznesit për të spiunuar vendin si një alternativë ndaj diplomatëve rusë që u dëbuan vitin e kaluar nën dyshimin për spiunazh.