Një 60-vjeçar ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur në Durrës. Mësohet se një makinë e ka përplasur 60-vjeçarin, i cili ka qenë duke kaluar rrugën. Drejtuesja e mjetit është shoqëruar në komisariat. Policia ishte kontradiktore me ngjarjen. Në njoftimin e parë, Policia e Durrësit bëri me dije se 60-vjeçari kishte ndërruar jetë, më pas e ndryshoi duke shtuar se këmbësori ndodhet i shtruar në spital.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:00, në lagjen nr.14, te mbikalimi i këmbësoreve, një automjet me drejtuese shtetasen A. B., 44 vjeçe, ka përplasur shtetasin Y. H., rreth 60 vjeç (këmbësor). Si pasojë e aksidentit, 60-vjeçari ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti.
Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës:
Në lidhje me lajmin paraprak të dhënë paraditen e sotme, për një aksident rrugor, sipas të cilit, nga kontakti i menjëhershëm me vendngjarjen dhe nga konstatimet paraprake të shërbimeve mjekësore, i dëmtuari, shtetasi Y. H. (këmbësor) kishte humbur jetën, ju bëjmë me dije se: Informacioni paraprak është lapsus, pasi shtetasi Y. H. nuk ka humbur jetën, por është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërhyrja e menjëhershëm e shërbimeve mjekësore dhe asistenca e specializuar e ofruar nga ekipi mjekësor, ndaj këtij shtetasi, pas transportimit në spital, kanë bërë të mundur shpëtimin e jetës së shtetasit Y. H., i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Shtetasi Y. H. ndodhet aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasja A. B., drejtuesja e automjetit që shkaktoi aksidentin, është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

