Policia e Tiranës ka bërë me dije se Fatjon Murati është shpallur në kërkim. Murati ishte lënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ pas mori lirinë vitin e kaluar, por nuk është gjetur në banesë. Një ditë pas masakrës që ndodhi në lokalin e tij, policia sqaron se herët e fundit efektivët kanë shkuar më 7 mars për kontroll rutinë në banesën e Muratit dhe e kanë gjetur aty. Ndërsa, një natë më parë, kur kanë bërë të njëjtën gjë, nuk e kanë gjetur të riun në shtëpi, kështu që ai është shpallur në kërkim për thyerjen e masës së sigurisë.
Njoftimi i policisë:
Pronari i lokalit shtetasi F.M, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij. Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në ditët në vijim do të japë informacion për ecurinë e hetimeve.
Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.

