Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e 12 marsit në zonën e Don Boskos ku mbeti e vdekur banakierja e lokalit në pronësi të Fatjon Muratit dhe 6 persona u plagosën, mes tyre mbesa e viktimës dhe xhaxhai i Fatjon Muratit. Ka dyshime të forta se autorët janë nga Fushë Kruja.
Ndërkohë prej disa javësh territori ishte vëzhguar nga disa persona të cilët lëviznin me motor në zonë. Kjo e fundit rezulton të jetë konstatuar edhe nga pronarët dhe të afërm të familjes Murati. Burime për Syri TV tregojnë se në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm një efektiv policie, i cili është arrestuar mbrëmjen që ndodhi ngjarja.
Por çfarë ka ndodhur në Don Bosko?
Masakra ndodhi më 12 mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.