Policia ka zbuluar një sasi prej 85 kg kanabis brenda një automjeti luksoz në Fier, ku udhëtonin dy të rinj.
Ata që po transportonin lëndën narkotike me një automjet tip “Audi Q7” dhe pasi kanë parë që po ndiqeshin nga efektivët, kanë braktisur makinën dhe janë larguar.
Gjatë ndjekjes, në fshatin Hamil, policia arriti të prangosë njërin prej tyre, 25 vjeçarin me iniciale A. T., banues në Fier, ndërsa u shpall në kërkim 31 vjeçari me iniciale, N. R., banues në Hamil, i cili drejtonte automjetin ku u gjet droga.
Gjatë kontrollit të makinës u gjetën dhe u sekuestruan 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 85 kg.
Njoftimi i policise:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor antidrogë i koduar “Hamil”.
Sekuestrohen 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 85 kg.
Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në inteligjencën informative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Hamil”.
Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, 2 shtetasit që po transportonin lëndën narkotike, me një automjet tip “Audi Q7″, pasi kanë parë që po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Gjatë ndjekjes nga Policia, në fshatin Hamil, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, shtetasit A. T., 25 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga shtetasi N. R., u gjetën dhe u sekuestruan 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 85 kg.
Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim shtetasi N. R., 31 vjeç, banues në Hamil, i cili drejtonte automjetin në të cilin u gjet lënda narkotike. Punohet për kapjen e tij.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

