Katër vëllezër shqiptarë u arrestuan gjithashtu nga operacioni antidrogë që u finalizua mes drejtësisë shqiptare me Antimafian Italiane, pak ditën më parë për të cilin Prokuroria e Posaçme lëshoi 21 urdhërarreste.
Sipas mediave italiane, katër vëllezër shqiptarë me banim në Palazzolo ishin gjithashtu mes 43 personave që morën masa paraprake si pjesë e hetimit të kryer nga prokuroria e Bergamos ndaj një organizate ndërkombëtare të dedikuar për trafikun e kokainës.
Në total u sekuestruan pasuri në vlerë mbi 4 milionë euro, ndërsa hetimi kishte nisur që nga viti 2017.
PANORAMA TV siguroi sot dosjen hetimore, ku ndër të tjera, përveç përgjimeve që kanë kryer anëtarët e bandës, tregohen dhe kodet e përdorura prej tyre për të ndihmuar në organizimin e trafikut.
Mësohet se në banesën e Alfred Lulit janë gjetur dhe sekuestruar 5 fletore dhe fletë të shkruara me dorë, me numra, sasi dhe emra e llogari të aktivitetit të shitjes së drogës. Nga ekzaminimi i këtij dokumentacioni u konstatua se bëhej fjalë për një kontabilitet të pjesshëm që lidhej me periudhën korrik 2015-2017.
Në to shihet se përdorej gjuhë e koduar me simbole dhe fjalë që tregonin sasitë dhe llojin e lëndës narkotike.

