Një djalë i ri ra në prangat e policisë së Tiranës, pasi në makinën e tij gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. I arrestuari është shtetasi M. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni i koduar “Mesnata” u krye në Selitë, ku dhe blutë e arrestuan të riun që lëvizte i armatosur.
Njoftimi nga Policia Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Mesnata”.
Qarkullonte me automjet, i armatosur, vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në Selitë, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”.
Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Në Selitë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. H., dhe gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

