Besnik Zenuni, pronari i lokalit që u përfshi nga flakët në Velipojë, nuk ka arritur të mbijetojë për shkak të shkallës së lartë të djegieve në trup.
55-vjeçari, prej pak ditësh ndodhej në QSUT në repartin e djegie-plastikës në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës.
Ndërkohë vazhdon të jetë në gjendje të vështirë për jetën, djali i tij 33 vjeçar, Hektor Zenuni.
Nga shpërthimi në plazhin e Velipojës mbetën të plagosur edhe disa persona të tjerë, duke rrezikuar kështu edhe qytetarët që ishin duke pushuar.
Shkak për këtë ngjarje tragjike u bë shpërthimi i çisternës së gazit. Sipas hetimeve të deritanishme të Policisë dhe Prokurorisë, çisterna në fjalë ishte vendosur në një bodrum, ku nuk plotësoheshin kushtet teknike dhe ato ligjore.
Për fat të mirë bombolat që ndodheshin në lokal nuk kanë shpërthyer. Megjithatë dëmet që janë shkaktuar nga rrjedhja e gazit nga çisterna kanë provokuar flakë të konsiderueshme duke shkaktuar kështu edhe një viktimë, përveç dëmëve materiale./ sosnews

