Kryeprokurorja Arta Marku në vijim të ndryshimeve në prokurori ka shkarkuar nga detyra Kryeprokurorin e Elbasanit, Dritan Gina.
Gina u komandua në Elbasan në 3 nëntor të 2016 me urdhër të Adriatik Llallës në vendin e Besnik Canit, i cili u emërua prokuror në Tiranë.
Gjatë një reagimi për mediat Dritan Gina u shpreh se -“Duke qenë jurist e kam shumë të qartë se një urdhër dhe vendim haptazi i paligjshëm nuk zbatohet. Për këtë arsye, unë nuk mund të braktis detyrën pas një urdhri të paligjshëm. Unë refuzoj ta zbatoj atë dhe do të vazhdoj të shikoj funksionet e mija derisa vendimarrja të zbatohet në Kushtetutë dhe në ligj.”
Kryeprokurori I Elbasanit Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, ish-drejtores së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme,e cila u shkarkua nga detyra po me urdhër të Kryeprokurores Marku.
Gjatë ditës së sotme Kryeprokuroria Marku është paditur nga prokuroria Gashi ku kërkon rikthimin në detyrë, pasi shkarkimi i saj është bërë pasi kërkoi ndërprerjen e mandatit të Rakipit dhe Rehovicës.
Pjesë nga padia e prokurores ne detyrë Rovena Gashi:
“Arta Marku, në pozicionin e saj, ushtron funksionet në bazë të dispozitave kalimtare, të parashikuara në nenin 160 të ligjit « Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve » Në asnjë prej dispozitave kalimtare, nuk parashikohet mundësia e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për përcaktimin, miratimin apo ndryshimin e strukturës së institucionit ;
Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie».”//sosnews.al
