Këto janë pamjet fill pas atentatit të ndodhur mëngjesin e kësaj të Diele në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Shënjestër e sulmit mësohet se ka qenë 39 vjeçari Ferdinand Llanaj i cili është në gjendje të rëndë ndërsa nga breshëria mbeti i lënduar dhe djali i tij 8 vjeçar por pa rrezik për jetën.

Në video duket dhe Dritan Begaj i cili mori një plumb dhe sipas mjekëve është nën mbikqyrje.
Një tjetër automjet iu afrua makinës tip Benz me të cilën udhëtonin viktimat dhe sapo dilnin nga një pikë karburanti u qëlluan me breshëri.

Policia gjeti 20 gëzhoja kallashnikovi dhe një pistoletë në vendngjarje e cila sipas bluve i përket Feridnand Llanajt.
Dyshimet e para sipas hetuesve janë ato për ngjarjen e Çoles dy vite më parë ku mbetën të vrarë 3 persona por dhe me atë të majit ku u qëllua për vdekje ndaj drejtorit të OSHEE dhe Mirvjen Hysenit drejtori i një televizioni privat në Vlorë.
Në vitin 2015 vëllai i Ferdinandit, Aleksandër Llanajt, së bashku me dy persona të tjerë Ani Begaj dhe Bertil Aliaj vranë në një lokal Albi Limajn, Haki Rakipin dhe Ardi Velaj.

Ndonëse është ende herët për të përcaktuar motivet hetuesit po ndjekin pistën e një hakmarrjeje të vjetër mes fisit Llanaj dhe Xhaferri.
Emri i Llanajt nuk është i panjohur për blutë, pasi rezulton se i përket një familje në hasmëri prej 17 vitesh. Aleksandër Llanajt i kanë vrarë të atin në vitin 2011. Hasmëria zë fill në vitin 1998, kur në Selenicë të Vlorës u vra Gjysh Xhaferri. Ky person mendohet se u vra në atë kohë nga familja Llanaj pas një konflikti banal. Madje familja Xhaferri dhe Llanaj kanë lidhje farefisnore me njëra-tjetrën. Kjo hasmëri u rikthye më 14 qershor të vitit 2011, kur Baftjar Llanaj, 60 vjeç, u vra me armë zjarri në rrugën për në Selenicë teksa lëvizte me të njëjtën makinë e cila u bë pre e sulmit të sotëm. I dyshuar për këtë vrasje ishte Sako Xhaferri, i cili u arrestua nga policia. Megjithatë hasmëria nuk u mbyll me kaq, më 26 shtator 2011, familja Llanaj tentoi të marrë hak dhe të vriste djalin e viktimës së ‘98-s, Sako Xhaferri, por ai arriti t’i shpëtojë pritës, ndërsa gjykata la me “detyrim paraqitjeje” të dyshuarit. Po ashtu, Llanajt mendohet se nuk u dorëzuan dhe në vitin 2012, në një tjetër atentat u vra Nure Xhaferri, vëllai i Sako Xhaferrit.

Disa minuta pas sulmit policia gjeti dhe automjetin e atentatorëve. Makina tip BMË ishte braktisur poshtë një nënkalimi në fshatin Kafaraj në Fier e djegur ndërsa hetuesit arritën të gjenin në brendësi të saj dhe një kallashnikov i cili dyshohet se u përdor nga agresorët.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version