Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është pyetur nga gazetarët të japë një koment nëse duhet të bëhet procesi i vetingut edhe për administratën shtetërore, duke iu referuar rastit të Këshilltares në Kryeministri, Alda Klosit, të cilës pastruesja i vodhi sipas policisë 120 mijë euro në shtëpi.
Sipas ministrit, vetingu për zyrtarët në administratë nuk e parandalon korrupsionin.
“Kur diskutohet vetingu e jep efektin. Rëndësi ka që në kulturën e shqiptarëve pavarësiht janë në administratë apo jo është ngulitur fjala veting, dhe kjo është një masë parandaluese më vete.
A duhet të ketë veting në gjithë qelizat e administratës publike? Nuk mendoj që është masë permanente qe parandalon ngjarjet kriminale, vetingu është fotografi e momentit për një zyrtar, po pasi ta bëjnë vetingun cfarë do ndodhë?
Ja e mori certifikatën e pastërtisë nuk do të thotë që fitoi imunitet ndaj korrupsionit.
Ndaj janë agjencitë ligjzbatuese e sistemi i drejtësisë, të gjitha kanë përgjegjësi sa i takon korrupsionit apo fenomeneve kriminale.
Vetingu në ato nivele që është menduar dhe zyrtarëve të lartë publik ka disa instrumente e mekanizma që kontrollohen zyrtarët e lartë. Unë jam për të ecur në linjën e funksionimit të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit“, tha ministri Manja.

