Policia e Shtetit ka dalë ditën e djeshme në një deklaratë për mediat ku ka bërë me dije se nga Spanja ka ardhur lajmi i arrestimit të dy prej personave më të kërkuar në vend.

Ata kanë qenë të shpallur në kërkim për një atentat të ndodhur në Tiranë ku një çift u sulmuan dhe u tentua eliminimi i tyre. bëhej fjalë për burrë e grua, të cilët ishin shënjestruar me idenë se në makinë ishin dy vëllezërit Paluca. Por për fat, ngjarja u parandalua e për pasojë policia ndërhyri duke vënë në pranga 4 persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë. Më pas u tha se dy të kërkuarit ishin baxhanakë dhe se sherri mes djemve të familjes Paluca dhe rivalëve të tyre kishte nisur për humbjen e një sasie lëndë narkotike, kokainë, në një vend të Bashkimit Europian.

Dy personat që pretendohet se kanë qenë ta gatshëm të kryenin atentatin mësohet se kanë ndërruar mbiemrat dhe janë vendosur në Spanjë, konkretisht në Madrid dhe Barcelonë. Policia spanjolle ka ndërhyrë pikërisht në këto dy qytete për të sjellë në pranga dy të kërkuarit e Shqipërisë. Sipas të dhënave që bëhen me dije nga policia e shtetit këta persona do të ekstradohen dhe do të hetohen e gjykohen në vendin tonë për një sërë veprash të rënda penale.

ARRESTIMI

Ka zgjatur rreth një vit arratia e Hektor Ndokës dhe Edmir Vlashit, të dy të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare për atentatin e dështuar me eksploziv ndaj Preng Palucës dhe gruas së tij në 8 dhjetor të vitit 2021. Dyshohet se shkak për atentatin ndaj Palucës u bë konflikti për prishjen të pazareve të drogës. Të dy shqiptarët u bë me dije se janë arrestuar ditën e djeshme në Madrid dhe Barcelonë të Spanjës pas hetimeve të kryera ndaj tyre nga policia spanjolle që nga nëntori i vitit të kaluar. Ndoka dhe Vlashi anëtarë të një grupi kriminal ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare. Edmir Vlashi 33 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij, Hektor Ndoka njihen si persona me precedentë të theksuar kriminalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi dyshohen për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës. Mediat spanjolle, bënë me dije se pas arratisjes nga Shqipëria, dy shqiptarët, kishin udhëtuar drejt Turqisë dhe prej aty janë nisur drejt Spanjës ku besohet se kanë qëndruar rreth një vit. Policia shqiptare ka bërë me dije se Hektor Ndoka i arrestuar në Madrid të Spanjës do të ekstradohet drejt Shqipërisë ku Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”

KËRKIMI

Të dy rinjtë kanë ndryshuar mbiemrat që mbanin më parë, kështu Hektor Ndoka më parë mbante mbiemrin Sadiku, ndërsa Edmir Vlashi më parë mbante mbiemrin Marku. Ka qenë Hektori ai që raportohet se ka pasur konflikte të vazhdueshme me vëllezërit Paluca. Sipas uniformave blu, Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit. Si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku. Ndërsa Mark Lamkja, dhëndri i shtetasit Nikoll Marku, është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version