Tre të rinjtë që u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike kokainë, 2 prej të cilëve rezulton se kanë përdhunuar dhe një 15-vjeçare, do të qëndrojnë në burg.
Indrit Puka, 20 vjeç, i dënuar më parë për drejtim të automjetit nën efektin e lëndëve narkotike, Armando Gega, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Klevisian Toni, 20 vjeç, u njohën më masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Pasi u njoh me provat dhe dëgjoi palët, gjyqtari Ilir Përdeda e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në Burg” për tre të rinjtë.
ARRESTIMI
Indrit Pula, Armando Gega dhe Klevision Toni u arrestuan të premten nga Policia e Lezhës, pasi bazuar në inteligjencën informative dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike, të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari. Shërbimet e Policisë kanë ushtuar kontroll në këtë banesë dhe si rezultat, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një pako të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, të gatshme për shitje, 1 peshore elektronike, 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në momentin e kontrollit, 16- vjeçari, në banesën e të cilit u gjetën sendet e kundërligjshme, nuk është gjetur aty dhe është shpallur në kërkim. Gjithashtu, gjatë këtij operacioni rezultoi se Indrit Puka dhe Armando Gega në banesën e 16- vjeçarit kishin kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur, 15 vjeçe, e cila është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe në prani të prindërve, psikologut dhe avokatit, ka bërë kallëzim për këta të rinj. Për shtetasit Indrit Puka dhe Armando Gega, janë ngritur akuzat “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në ngarkim të shtetasve Klevisian Toni dhe të 16-vjeçarit, janë ngritur akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

