Një sherr mes drejtëseve të mjeteve ndërqytetase ka ndodhur në Belsh të Elbasanit. Një 35-vjeçar, i identifikuar me inicialet A. D., për arsye konkurrence ka qëlluar mbi kolegun e tij, ndaj është vendosur në prangat e Policisë. E gjitha nisi pas një sherri të nisur për të ardhurat nga transporti i pasagjerëve, kur 35-vjeçari ka marrë armën e zjarrit dhe dëmtuar mjetin që drejtonte A. T. E më pas menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes, por pas 1 orë ndjekje nga Policia e Shtetit ka përfunduar në pranga.
NJOFTIMI I PLOTË:
Belsh
Qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasit A. T., për arsye konkurrence, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë dhe veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga, pas 1 orë ndekjeje, 35-vjeçari.
Si pasojë e të shtënave janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtonte shtetasi A. T. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një shtetasi tjetër, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të stacionit të Policisë Belsh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, pas një orë ndjekjeje, është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 35 vjeç, banues në Belsh. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të autobusit që po drejtohej nga shtetasi A. T., për motive konkurrence (të ardhurat nga transportimi i pasagjerëve, me autobus). Vijojnë veprimet hetimore, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

