Konfliktet për ndarjen e territoreve të shpërndarjes së drogës, përfunduan me tre të plagosur mesnatën e së mërkurës në Tiranë.
Përplasja nisi në brendësi të një lokali bastesh sportive në zonën e Kinostudios e më pas vijoi dhe në rrugë duke përdorur armët.
Policia gjeti në vendngjarje 9 gëzhoja pistolete ndërsa nga të shtënat mbetën të plagosur vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi përkatësisht 36 dhe 24 vjeç si dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç.
Të plagosurit u dërguan në spitalin e traumës dhe sipas mjekëve Ibrahim Durollari ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.
Për plagosjet policia arrestoi Ervis Banon 29 vjec i cili dyshohet se ka fshehur ngjarjen ndërsa u shoqëruan 23 persona të tjerë.
Shënjestër e atentatit dyshohet se kanë qenë vëllezërit Mumajesi që të dy me precedentë penalë të cilët sipas policisë një vit më parë janë përfshirë në një tjetër përplasje me armë. I plagosuri rëndë Ibrahim Durollari, nuk ka pasur lidhje me konfliktin.
Policia ushtroi kontroll në banesat e disa prej të dyshuarve si autorë ndërsa pritet marrja në pyetje të plagosurve për të mësuar më shumë për ngjarjen.
VITI 2017
Një konflikt i nisur në tavolinë , teksa pinte kafe me dy komshinj, dyshohet të jetë bërë shkak për plagosjen e Eduard Dukës në zonën e Kinostudios.
Duka ka sqaruar në atë kohë në polici, se sherri me grushte e shqelma me dy komshinjtë kishte nisur pasi ishin kapur me fjalë, ndërsa njëri prej tyre e kishte sharë edhe nga gruaja.
Konfliktin e kanë çuar edhe në komisariatin nr.4, nga i cili kanë dalë të sqaruar, por që nga ajo kohë nuk kanë folur më me njëri-tjetrin.
Nje muaj pas sherrit ne prill Dukës i bëhet atentati në të njëjtën zonë ku edhe u konfliktua. Duke njohur konfliktin policia shpalli në kërkim dy personat e sipërpërmenduar, por pa përjashtuar dhe pistat e tjera të hetimit.
Nga të shtënat , Duka mori plagë të lehta në krah. Në momentin që ndodhi ngjarja, 34-vjeçari ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, në një lokal shumë pranë Komisariatit të Policisë Rrugore, ndërsa autorët kanë qëlluar nga një makinë, e më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

