Sot opozita do të mbajë protestën kombëtare të paralajmëruar prej disa ditësh tashmë. Protesta do të nisë në orën 16:00 përpara kryeministrisë, ndërsa nuk dihet saktësisht se për sa orë do të vazhdojë.
Policia e shtetit ka njoftuar se për shkak të protestës që pritet të nisë gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të lëvizjes së pjesëmarrësve në tubim. Policia bën thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin zonat ku do të ketë grumbullime të qytetarëve. Kryeministria masat i mori që mbrëmjen e djeshme, duke blinduar dyert kryesore.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha me anë të një mesazhi fton të gjithë qytetarët që të jenë prezent në protestën e sotme e cila nis në orën 16:00. Ndërkohë mijëra qytetarë janë nisur nga Shkodra në Gjirokastër për të marrë pjesë në protestë. Protesta ka vënë në gatishmëri gjithë strukturat e Policisë së Shtetit dhe Inteligjencës.
Rreth 1000 efektivë pritet të jenë në terren ndërkohë që bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ është mbushur me kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar protestuesit që nxisin apo kryejnë akte dhune. Kur jemi vetëm pak orë para nisjes së protestës janë zbuluar disa nga pankartat që pritet të mbajnë në duar protestuesit, kështu nga udhëtimet e kryeministrit Rama me charter deri tek procesi i Ballkanit të Hapur dhe rritja e çmimit të naftës pritet të jenë disa nga pankartat që protestuesit opozitarë do të vendosin para Kryeministrisë.

