Gazetari Artan Hoxha, i cili publikoi audio-pergjimet e reja lidhur me tragjedinë e 21 janarit të vitit 2011 dhe vuri në lëvizje organin e akuzës do të paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në orën 17:00 të ditës së sotme, Hoxha do të ulet përballë Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe do të merret në pyetje lidhur me provat e reja që janë marrë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Artan Hoxha është gazetari që publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. 12 vite pas tragjedisë, ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.

