Qeveria ka parashikuar të investojë mbi 17 miliardë lekë të vjetra vetëm në lotin 8 të rrugës Kardhiq-Delvinë, duke rritur kostot financiare përfundimtare edhe pse ajo është marrë nën dorëzim.
Në projektbuxhetin e vitit 2023, Ministria e Financave në parashikimin e investimeve publike me financim të Brendshëm për vitet 2023- 2025, ka detajuar shpenzimet për 3 nga 8 lotet e këtij aksi. Kështu për lotin e tetë, për vitet e ardhshme janë parashikuar 17 miliardë e 236 milionë lekë për lotin 8, ose rreth 16 milionë euro, e shpërndarë në më shumë se 3 vite vetëm për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve. Sipas planifikimit, janë 200 milionë lekë në vitin 2023, 3.17 miliardë lekë në 2024 dhe 3 miliardë në 2025. Ajo që tërheq vëmendje është se më shumë se gjysma e të gjitha shpenzimeve janë parashikuar pas vitit 2025.
Janë plot mbi 9.26 miliardë lekë që janë përcaktuar të paguhen pas vitit 2025 për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve të rrugës Kardhiq-Delvinë. Gjatë vitit 2022, për këtë aks janë planifikuar të shpenzohen plot 1.6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Sagës së financimit shtesë nuk i shpëtoi as loti 8, pasi edhe për të ka një shtim me rreth 4 milionë euro. Kjo pasi kur në fillim të vitit Agjencia e Prokurimit Publik (APP) hapi tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq– Delvinë loti 8, fondi limit i parashikuar për këtë tender është 1.44 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë euro ndërsa sot është mbi 17 miliardë e 236 milionë lekë. Qeveria ka parashikuar të investojë para në vitet e ardhshme edhe për lotet 4 dhe 7.
Nëse për lotin 7 ka 286 milionë shtesë dhe që do të shpenzohet vetëm në vitin 2023, për lotin 4 vitin e ardhshëm ka një shtesë prej 200 milionë lekësh, për vitin 2024 690 milionë lekë dhe për vitin 2025 dhe të fundit 1 miliard e 887 milionë lekë. Pas këtij viti, nga buxheti i shtetit do të paguhen vetëm për lotin 8 mbi 9.26 miliardë lekë, shumë të cilën Ministria e Financave nuk e ka përcaktuar se në cilat vite do të paguhet. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në buxhetin afatmesëm, qeveria ka ndryshuar kohën e përfundimit dhe afatin në të cilin synon të paguajë këtë koncesion të ndarë në 8 lote me një projekt të zbatuar nga disa kompani.
Kjo pasi me herët qeveria kishte si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022 dhe buxhetin afatmesëm ky aks do të financohej deri në vitin 2024. Por, pagesat për lotin 4 përfundojnë në 2025 dhe për lotin 8 nuk ka afat të përcaktuar pas 2025. Të gjitha këto pagesa do të bëhen edhe pse rruga është marrë në dorëzim nga qeveria, e cila e inauguroi me shumë bujë në 2 korrik ku vetë Kryeministri Edi Rama dhe ministrat që e shoqëronin u pritën me këngë dhe valle nga banorët e zonës. Rruga është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, me 40 minuta duke shmangur Qafën e Muzinës.

SHTIMI I FINANCIMIT
Pagesat për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë të nisur në vitin 2007 nga qeverinë “Berisha 1” nuk pritet të përfundojë as në qeverinë “Rama 3”. Punimet për këtë aks rrugor prej 33 kilometrash janë shoqëruar me ndërprerje të shpeshta në kohë dhe financime shtesë të shpeshta në vitet e fundit. Në fillim, i gjithë projekti ishte parashikuar me një kosto totale mes 50-60 milionë euro, por që deri në përfundim ajo ka kushtuar gati 130 miliardë lekë të vjetra ose afro 108 milionë euro.
ARRSH-ja ka deklaruar se lotet 2 dhe 3 kanë kushtuar në total më shumë se 1 miliard lekë, ose 8,7 milionë euro. Ndërkohë, skema me dy tenderë për të njëjtin lot, ka nisur me lotin numër katër, që është fituar në shtator të 2018- ës me 99% të fondit limit nga “Cobial” sh.p.k. dhe “Gjoka konstruksion” për rreth 2,4 miliardë lekë, ose 20 milionë euro, për 6,1 kilometra. Por, 20 milionë euro nuk mjaftuan dhe ARRSH-ja prokuroi 3,8 milionë euro të tjera në prill 2021. E njëjta procedurë edhe për lotin 5, ku në shtator të 2018-ës fituese ka dalë kompania “ALBSTAR” me një ofertë prej 1.78 miliardë lekësh, ose 14 milionë euro, për 3,3 kilometra rrugë.
Oferta ishte sa 98% e fondit limit, ndërkohë më pas në prill të 2021 e njëjta kompani negocioi me ARRSHnë një kontratë për shtesë punimesh 332 milionë lekësh, afro 2,6 milionë euro. Në tetor 2018, ARRSH-ja shpalli fituese për lotin 6 bashkimin e operatorëve “Agbes” sh.p.k. dhe “Arbëria” që dhanë një ofertë prej 2,37 miliardë lekësh, gati 20 milionë euro, për rreth 4,5 kilometra. Me ofertë shumë pranë fondit limit, në prill të 2021-shit, ashtu si për lotet 4 dhe 5, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka negociuar 467 milionë lekë, ose 3,9 milionë euro shtesë punimesh.
Në të tria rastet, kompaninë ndërtuese kanë justifikuar shtesën e punimeve me probleme gjeologjike të hasura rrugës. Për lotin 7, tunelin e Skërficës, fituesi është shpallur në korrik 2020 nga ARRSH-ja, pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik. Kontrata u lidh me bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga “Gjoka Konstruksion” me një vlerë gati 1,8 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro. Ndërkohë, skandali me kostot shtesë thellohet pasi në të gjashta lotet e gjatësisë së rrugës janë zhvilluar shtesa të treta punimesh. Një kontratë prej 1,43 miliardë lekësh, rreth 11 milionë eurosh, është fituar në maj të këtij viti nga “Gener 2”, për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve dhe një kontratë tjetër prej 220 milionë lekësh, rreth 1,8 milionë euro, është fituar nga kompania “Jubica”, për sinjalistikën rrugore. Procedurat e ndjekur nga ARRSH i nxjerrën kostot e projektit të aksit KardhiqDelvinë jashtë kontrollit pasi pati 3 kontrata shtesë punimesh dhe 2 kontratat për punime ekstra që dyfishuan koston përfundimtare të saj.
Tuneli Kardhiq-Delvinë, Sonila Qato dëshmoi në SPAK për dy padi
Problemet në aksin KardhiqDelvinë çuan përpara SPAK ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato. Në 3 tetor, Qato dëshmoi për dy orë në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit në lidhje me dy akuzat e ngritura ndaj saj më herët: Atë të “Shpërdorimit të detyrës” dhe të pabarazisë në tenderë. Qato u paraqit në SPAK si person që ka dijeni dhe duhet të dëshmojë, pas padisë së bërë nga një firmë private dhe pas një raporti të KLSH-së për shkelje të barazisë në tenderë në aksin KardhiqDelvinë.
Për këtë aks nacional në fakt, KLSH-ja tha asokohe se janë konstatuar një sërë shkeljesh që u shoqërua me dy kallëzime nda ish-drejtoreshës së ARRSH-së që çuan në dorëheqjen e saj në shtator të 2019. Kontrolli i Lartë i Shtetit dërgoi në SPAK një padi ndaj Sonila Qatos me akuzën se është skualifikuar padrejtësisht në tenderin për rrugën KardhiqDelvinë një kompani, duke i kushtuar shtetit miliona lekë dëm duke e akuzuar për shpërdorim detyre. Auditimi në ARRSH nga KLSH-ja është bërë për periudhën e veprimtarisë nga data 1.1.2017 deri në datën 31.7.2019. KLSH-ja tha aso kohe se çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq– Delvinë, loti 7, me fondin limit 2,332,573,946 lekë, të zhvilluar në korrik 2019”. Po ashtu, ishdrejtoresha e ARSH-së është e paditur edhe nga kompania private “Gjoka Construction” për prishje me qëllim të imazhit më 17 shtator dhe skualifikim të padrejtë duke e akuzuar për korrupsion.
Në një reagim për mediat, përfaqësues të kësaj kompanie kanë mohuar që të kenë paraqitur të dhëna false për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është “loti 7” dhe që u anulua. Sipas tyre, imazhi është prishur, pasi nisën hetimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, hetim i cili sipas firmës, kishte si qëllim favorizimin e kompanisë e “Ircop S.p.a”, degë e shoqërisë së huaj. Avokati i kompanisë pretendoi se detyrimi që duhet t’i kthejë shteti kompanisë “Gjoka” është 7 miliardë lekë. Ai akuzoi publikisht se ishte bërë korrupsion nga vetë drejtoresha e ARRSH-së. Sipas tij, në këtë tender ishin 4.2 milionë euro të marra në mënyrë të padrejtë më shumë sesa do e kryenin ata veprën publike.
Marre nga Panorama
