Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara, aty ku po zhvillohet Samiti Botëror i Qeverisjes. Kreu i qeverisë do të qëndrojë dy ditë atje ku do të zhvillojë edhe takime bilaterale. Në një prononcim për gazetarët, Rama theksoi se është hera e parë për të që merr pjesë në këtë samit dhe se gjithçka i është dukur e këndshme.
I pyetur nëse bashkëpunimi global duhet çuar përpara për probleme të ndryshme me të cilat përballet bota sot, Kryeministri Rama u shpreh se gjithnjë e më shumë po përballemi me situata dhe ngjarje që janë më të fuqishme se ne, por që mund të izolohen, nëse adresohen siç duhet.
Pyetjes nëse përbërja e kabinetit qeveritar kryesisht nga gra sjell cilësi në qeverisjes, Rama iu përgjigj duke u shprehur se nuk dëshiron të duket sikur u jep leksione të tjerëve. Por, ai citoi Margaret Thatcher dhe tha: Nëse do që të bisedosh, këtë e bën me një burrë, por nëse kërkon të mbarosh punë, drejtohu tek një grua!
Intervista:
Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Samitin Botëror të Qeverisjes. Doja të dija cilat janë përshtypjet tuaja për Samitin Botëror të Qeverisjes, që tashmë është në përvjetorin e dhjetë. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Kryeministri Edi Rama: Ishte hera e parë për mua dhe sapo mbërrita ndoqa seancën. Dukej shumë e këndshme. Organizim shumë i mirë dhe me aq sa e ndoqa, mu duk shumë interesant në lidhje me temat që trajtohen.
Samiti i qeverisjes është një platformë globale për bashkëpunimin midis qeverive, industrive, botës së artit dhe inovacionit, një vend ku njerëzit mblidhen për të shkëmbyer ide dhe për të propozuar zgjidhje të reja për problemet. Pse mendoni se bashkëpunimi global duhet çuar përpara për probleme të ndryshme me të cilat përballet bota sot?
Kryeministri Edi Rama: Gjithnjë e më shumë po përballemi me situata dhe ngjarje që janë më të fuqishme se ne, nëse i adresojmë në mënyrë të izoluar si vende dhe kontinente. Si të tilla ato kërkojnë veprime gjithëpërfshirëse dhe shpresojmë t’i realizojmë këto para se katastrofat të na fshijnë nga faqja e dheut.
Ne ju njohim që kur ishit kryebashkiak i Tiranës. Ju e rikonceptuat qytetin e Tiranës dhe ne e pëlqyem shumë punën tuaj. Cili është vizioni juaj për qeverisjen e vendit dhe inovacionin në qeverisje?
Kryeministri Edi Rama: Në ditët e sotme, mënyra për të qeverisur vendin përcaktohet nga mënyra se si ne e përqafojmë të renë, sepse çdo ditë dalin gjëra të reja. Kjo epokë e re e gjërave të reja po sfidon mënyrën tonë të qeverisjes. Si rrjedhojë, sa më shumë të ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më shumë mund ta përdorim teknologjinë në një mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë, që të jemi relativisht të sigurt përballë sfidave.
Ju drejtoni një kabinet qeveritar që përbëhet kryesisht nga gra. A mendoni se kjo i sjell cilësi qeverisjes në këndvështrimin tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash nuk dua të dukem sikur po u jap leksione të tjerëve për atë që po ndodh në Shqipëri tani. Në lidhje me avantazhet e kësaj, unë do citoja Margaret Thatcher që thotë “nëse do që të bisedosh, këtë e bën me një burrë, por nëse kërkon të mbarosh punë, këtë ta mbaron një grua”.

