Pas ngjarjeve të rënda kriminale në Elbasan të cilat vunë në pikëpyetje rolin e shtetit dhe aftësinë e tij reaguese ndaj bandave kriminale me urdhër të Minsitrit të Brendshëm u kërkua një analizë e detajuar përse Policia e Shtetit kishte dështuar gjatë dy viteve të fundit dhe bandat ishin bërë zotër të qytetit.
Një grup i specalizuar pune u ngrit menjëherë dhe inspektoi për rreth dy muaj se cilat ishin mangësitë dhe përse drejtoria vendore kishte dështuar.
Një raport sekret i hartuar nga grupi i punës të cilin sosnews e disponon iu dorëzua krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm.
Në raport thuhet se në Drejtorinë e Elbasanit kishte më shumë Shefa se sa policë zbatues. Ndërsa mungesa e bashkëpunimit dhe e kordinimit ndërmjet strukturave të policisë vendore ishte problematika më serioze dhe thelbësore çka ka sjellë mungesën e kontrollit të territorit dhe mungesën e prezencës se policisë pranë komunitetit.
Gjetjet e Raporti për Policinë e Elbasanit 2016-2017
1. Ulje e përgjegjshmërisë së strukturave dhe kalimi përgjegjësive në hierarki
2. Mbingarkesë e drejtuesve të Drejtorisë Policisë Vendore dhe komisariateve për menaxhim cilësor në 24 orë.
3. 1 në 2 policë është Shef- Mbingarkesa e strukturës me drejtues dhe mungesë specialistësh.
4. Mbingarkesë e disa strukturave të veçanta kundrejt shumë të tjerave po kaq të rëndësishme.
5. Mungesë e theksuar e Aftësisë Analitike.
6. Parcelizim i strukturave të hetimit të krimit
7. Mungesë e bashkëpunimit dhe e kordinimit ndërmjet strukturave të policisë ku përfshihen zonat e shërbimit.
8. Mungesa e atributeve të Oficerit të Policisë Gjyqësore nga punonjësit e policisë të gradës “Inspektor”
9. Mungesë e kontrollit të territorit nga strukturat e policisë gjatë 24 orëve.
10. Standarte të ndryshme kontrolli territori në zonat urbane dhe fshatrat
11. Ngarkesë e lartë e punonjësve të policisë, për shkak të angazhimit në detyra të tjera.

NDIKIMI I MANGËSIVE NË PERFORMANCËN E POLICISË ELBASAN NË PARANDALIM DHE GODITJE TË KRIMIT
1. Mënyra e organizimit të strukturave të Drejtorisë Elbasan dhe Komisariatit ka ndikuar në rezultatet e punës efikase
2. Shpërndarja e funksioneve në sektor/seksione nuk i përgjigjej ngarkesës së punës
3. Raport jo i drejtë ndërmjet funksioneve drejtuese dhe operuese
4. Standarte të ndryshme kontrolli territor në zonat urbane dhe rurale
5. Standarte të ndryshme shërbimi përgjatë 24 orëve
6. Shpërndarja e burimeve nuk ishte e favorshme.
Pas këtyre gjetjeve Ministria e Brendshme kërkoi mendimin dhe të ekspertëve ndërkombëtar të atashuar pranë policisë së shtetit PAMECA dhe ICITAP të cilët në bashkëpunim dhe me ekspertët e grupit të punës hartuan një strukturë tërësisht të re e cila do të ribëj Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan. Struktura e re policore u prezantua në një mbledhje me dyer të mbyllura nga Ministri i Brendshëm Fatimir Xhafaj./sosnews.al