Janë rihapur sërish hetimet për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë Renato Hamza. Korrespondenti i Panorama.al bën me dije se specialistë të mjekësisë ligjore kanë kryer zhvarrosjen e një kufome të paidentifikuar, e cila dyshohet se është e këngëtarit në fjalë.
Kufoma u gjet disa vite më parë në një fshat të Librazhdit e dekompozuar, por që nuk mundi të bëhej dot identifikimi i saj.
Duke u nisur nga indiciet e reja, hetuesit pritet të marrin kampionet e ADN-së nga mbetjet kockore për të vërtetuar nëse eshtrat janë të këngëtarit Renato Hamza, ose siç quhet ndryshe Reni i Elbasanit.
Hamza humbi kontaktet me familjen në vitin 2014 dhe që prej atëherë nuk ka më asnjë gjurmë prej tij.
Këngëtari i muzikës tallava, i njohur me emrin Reni, ishte 21 vjeç kur humbi të gjitha kontaktet me familjarët dhe miqtë e tij.
Sipas nënës së këngëtarit, ai mësohet të ketë marrë një telefonatë nga disa persona që u paraqitën si pronarë të një lokali.
Por nga pamjet e fundit para zhdukje së këngëtarit ai shihet të takohet me shtetasit Indrit Shaqja dhe Deniz Xhija. Ky i fundit i arrestuar në Kolumbi në muajin shtator për trafik droge.
Ndërsa Indrit Shaqja është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeç. Ngjarje e cila ka ndodhur pas zhdukjes së Renit të Elbasanit.
Marre nga Panorama

