Banorët e zonës së Porto Romanos janë tmerruar nga një shpërthim i fortë që ka ndodhur në çisternat e fabrikës ‘Gas Power’. Shpërthimi ka ndodhur shumë pranë banesave, duke lënë nën panik banorët, që tashmë janë evakuuar. Në vendngjarje nuk kanë mbërritur ende forcat zjarrfikëse edhe pse janë njoftuar nga banorët. Për shkak të frikës, është ndërprerë mësimi në shkollën pranë zonës, ‘Met Hasa’.

Kjo nuk është hera e parë, që qytetarët ndihen të rrezikuar nga fabrika Gazpower, ku prodhohen bombola gazi të të gjitha madhësive. Pak kohë më parë, shumë banorë në atë zonë i braktisën shtëpitë, pasi ndiheshin të rrezikuar nga shpërthimet e njëpasnjëshme.
Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka reaguar pas shpërthimit të çisternave që ndodhën ditën e sotme në fabrikën ‘Gaz Power’ në Durrës. Ata shprehen se nuk ka probleme me depozitat e instaluara.
Dyshohet se rrjedhja e gazit është shkaktuar për shkak të botit furnizues nga problemet me valvulat. Banorët e zonës, u evakuuan menjëherë nga zona, nga frika për jetën. Ata janë shprehur për mediat se janë ankuar për erën e gazit që kanë muaj që e nuhasin në zonë, mirëpo institucionet nuk kanë marrë masa.