Zhvillime të reja nga lufta në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin deklaron se Moska ka në plan të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusinë fqinje.
Ndërsa nuk ka asnjë garanci se ai do ta zbatojë planin, çdo sinjalizim bërthamor nga Putin do të shkaktojë shqetësim në Perëndim. Nga ana tjetër, SHBA e hodhi poshtë deklaratat, duke thënë se nuk kishte indikacione se Rusia po planifikonte të përdorte armë bërthamore.
Ukraina thotë se planet janë një hap drejt destabilizimit të brendshëm të Bjellorusisë. Putin ndërkohë ka thënë se Rusia nuk ka aleancë ushtarake me Kinën. Ai u takua me Presidentin e Kinës Xi Jinping javën e kaluar, duke ngritur pyetje rreth asaj se sa është e përgatitur Kina për të ndihmuar Rusinë në konflikt. Grupi mercenar rus Wagner thotë se ka kapur një fabrikë metali në Bakhmut, një qytet që Moska po e kërkon si një fitore kryesisht simbolike.
Ushtria ukrainase deklaron se ofensivat ruse janë përqendruar në Bakhmut dhe në disa pjesë të tjera në lindje të vendit. Kjo deklaratë vjen pasi Moska njoftoi për planet për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje dhe presidenti ukrainas mirëpriti ndihmën e fundit të ofruar nga komuniteti ndërkombëtar.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e tij po vazhdojnë të mbajnë pozicionet në Bakhmut, qytet që për muaj të tërë është i rrethuar nga forcat ruse. Më herët gjatë kësaj jave, një komandant i lartë ukrainas tha se situata në Bakhmut është duke u stabilizuar. Ushtria ukrainase tha se sulmet ruse po vazhdojnë në Liman, Marinka dhe Avdivivka në Donjeck.