Drejtori i Policisë së Beratit Edmond Tarkaj është shkarkuar ditën e sotme nga puna. Shkarkimi i Tarkajt, ka ardhur 10 ditë pasi në fshatin Drenovicë të Beratit është gjetur një serë me kanabis, ku ishin të punësuar me dhjetëra persona. Në vend të tij është emëruar Kastriot Skënderi, i cili ka qenë këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Skënderi, disa vite më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë së Tiranës.
Gjatë karrierës së tij, formimi akademik plotësohet me një sërë kursesh trajnimi brenda dhe jashtë vendit si në Kroaci, Itali, Turqi, Mal i Zi, Maqedoni, Hungari dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë, të organizuara nga PAMECA dhe ICITAP
Ferma e kanabisit u zbulua më datë 11 nëntor pas një aksioni të Policisë. Deri më tani 105 persona kanë përfunduar në pranga, mes tyre 80 gra. Gratë që ishin punësuar në fermën e kanabisit janë kapur në flagrancë teksa po pastronin lëndën narkotike.
Lënda narkotike prej 800 kilogramësh ishte mbjellë në një sipërfaqe prej 2 hektarësh dhe serat ku ndodhej kanabisi kanë qenë ngjitur me serat e domateve dhe perimeve të tjera të mbjella brenda tyre. Ndërkohë paketimi i lëndës narkotike bëhej po brenda fermës nga gratë e punësuara.

