Sotir Çabiri, 36-vjeç, u vu në pranga si autori i shpërthimit të hotelit ‘Bizanti’ një ditë më parë në Sarandë, pronë ku babai i tij ishte bashkëpronar. I riu e planifikoi sulmin pas një lufte të gjatë në gjykata për pronësinë e hotelit.
Por, autoritetet kanë dyshime se edhe babai i të riut, Spiro Çabiri ka qenë në dijeni të planifikimit të këtij shpërthimi. Kjo pistë përforcohet dhe nga fakti që e gjithë familja kishte prerë biletat dhe dje do të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Shoqërimi i 36-vjeçarit anuloi planet. Ndaj dhe Spiro Çabiri është shpallur në kërkim.
Vetë 36-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. I pyetur për ‘vizitën’ që ka bërë në hotel në orën 05:50, vetëm dy minuta para se të ndodhte shpërthimi, Çabiri ka thënë se ka shkuar të merrte një valixhe me rroba pasi do të nisej për udhëtim.
Nga ana tjetër një qytetar që ka pësuar dëme në biznesin e tij si pasojë e shpërthimit, kërkon dëmshpërblim.
Si qëndron çështja me hotelin ‘Bizanti’? Spiro Çabiri dhe shtetasi grek Dhimitër Evangjeliu e kishin nisur këtë betejë që prej vitit 2002. Sipas vendimit të gjykatës 90% të hotelit i ishte dhënë Dhimitër Evangjeliut dhe nga 5% dy ortakëve të tjerë, Spiro Çabiri e Vangjel Shtuka (ka ndërruar jetë). Ky vendim nuk konsiderohej i drejtë nga familja Çabiri dhe për të marrë hak 36-vjeçari organizoi shpërthimin. Por, ai u pikas nga kamerat e sigurisë dhe u vu në pranga.

